Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë kriminale që tronditi zonën e Tales në Lezhë, ku 57-vjeçari Pjetër Kaza u vra me breshëri armësh teksa kthehej në shtëpinë e tij në orët e para të mëngjesit të datës 1 qershor.
Kaza, punonjës në një minierë, kishte përfunduar turnin e tij dhe si çdo natë po kthehej në banesë. Rreth orës 1:00 pas mesnate, sapo kishte arritur tek porta kryesore e shtëpisë, ai u qëllua për vdekje nga një person i paidentifikuar. Autori dyshohet se ka përdorur një armë me silenciator, pasi asnjë krismë nuk u dëgjua nga familjarët, të cilët ndodheshin brenda shtëpisë.
Policia gjeti në vendin e ngjarjes 12 gëzhoja plumbash dhe po vijon hetimet për të identifikuar autorin ose autorët. Viktima u gjet i pajetë nga bashkëshortja e tij rreth orës 5 të mëngjesit, ndërsa makina e tij ishte ende e ndezur.
Në dëshminë e saj, bashkëshortja deklaroi:
“Makina ishte ende ndezur kur e gjeta. Nuk dëgjuam asgjë. Ai nuk ruhej, edhe pse kishte humbur dy vëllezër për shkak të një gjakmarrjeje të vjetër. Vëllai i tretë ndodhet në burg.”
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një konflikt të gjatë gjakmarrjeje mes dy fiseve të njohura të zonës, Kaza dhe Gjini, që sipas të dhënave ka nisur në vitin 1994 dhe ka prodhuar deri më sot 5 viktima. Pas mbi 30 vitesh, plagët e këtij konflikti duket se ende nuk janë mbyllur.