Biznesmeni Bujar Nasufi është qëlluar me 6 plumba mbrëmjen e sotme në Tiranë, dhe për pasojë ndërroi jetë në vend.
Ngjarja ndodhi Pallati me Shigjeta, zonë që është thuajse e gjitha e monitoruar me kamera dhe nga informacionet paraprake mësohet se Nasufi është qëlluar nga persona të maskuar që lëviznin me motor.
Pasi e kanë qëlluar në makinë pranë banesës së tij, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Selitës.
Nga hetimet paraprake, Nasufi nuk rezulton me precedent penal, megjithatë, policia po heton disa pista për të zbuluar motivin e kësaj ngjarjeje kriminale.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.