Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 49-vjeçarin Fadi Alwan, të dyshuar si autor të vrasjes së 24-vjeçares Rayyan Alwan, e gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.
Viktima, e cila kishte plagë të shumta nga mjet prerës, dyshohet se u vra disa ditë më parë nga bashkëshorti i saj saj. Ndërsa autori dyshohet të jetë arratisur jashtë Shqipërisë menjëherë pasi ka kryer krimin.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.
Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.
Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.
Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.
Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.
Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.
Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.