Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe Guardia di Finanza e Antimafias italiane bëri të mundur parandalimin e daljes në tregun italian të tonelatave të kokainës që do futej përmes porteve detare italiane, kryesisht atij të Livornos në fruta ekzotike.
Mediat italiane kanë bërë me dije të tjera detaje në lidhje me operacionin.
Ngarkesat e kokainës bliheshin në Kolumbi dhe mbërrinin në Itali nëpërmjet detit nga Ekuadori, të fshehura mes arkave me banane ose fruta të tjera ekzotike. Në portin e Livornos, një qendër vendimtare e trafikut të drogës, ndërhynin “skuadrat” të cilat shkarkonin ngarkesat, kryesisht shqiptarë, por edhe rumunë dhe italianë.
Italianët sipas prokurorisë ishin përfaqësues të “Ndrina Molè”, një bandë kalabreze e specializuar në trafikun e drogës.
Një shqiptar 44-vjeçar, Albert Turja, banues në Santa Croce sull’Arno, koordinonte punën për shkarkimin e drogës.
Albert Turja është një nga personat e arrestuar gjatë aksionit. Në përfundim të hetimeve që nisën në vitin 2021, të mërkurën e 7 nëntorit, u ekzekutuan 30 masa paraprake midis Toskanës, Kalabrisë, Lazios, Pulias dhe Lombardisë. 23 në burg, 6 në arrest shtëpie dhe 1 detyrim paraqitje.
Sipas prokurorisë, trafiku i drogës menaxhohej nga eksponentë të “Ndrangheta”, “Camorra” dhe një bande shqiptare që kishte degë në Belgjikë, Shqipëri, Francë dhe Gjermani, si dhe në Kolumbi dhe Ekuador.
Albert Turja u arrestua së bashku me vëllanë e tij Roland Turja, 38 vjeç.
Turja me anë të një kriptofoni mbante kontakte telefonike me agjentët në Ekuador, ata që financonin blerjen e drogës direkt në Kolumbi dhe mbi të gjitha menaxhonte momentin më delikat të importit të drogës, atë të “daljes” nga porti.
Nga përgjimet rezultoi se vëllezërit Turja kishin bashkëpunëtorë brenda portit të Livornos, të cilët mund të kontrollonin se ku ndodhej kontejneri për të cilin ishin të interesuar, por ende nuk janë identifikuar.
Teknika e përdorur nga skuadra ishte gjithmonë e njëjtë: inspektime, dylbi duke pritur për mbërritjen e anijes që mbante kontejnerin me drogën. Ndonjëherë ata përdornin një kallam peshkimi dhe shtireshin si peshkatarë për të mos tërhequr vëmendje.
Pasi kontejneri identifikohej, ekipi kishte për detyrë të vendoste një GPS për të ndjekur lëvizjet e tij dhe për të ndërhyrë kur kontejneri vendosej në një zonë me vigjilencë të ulët.
Aty, gjatë natës, çmontonin kontejnerin, nxirrnin drogën dhe mbi të gjitha të vendosnin gjithçka në vend për të mos rënë në sy.
Më pas, për transferimin e drogës përdoreshin makina me ndarje të posaçme ku fshihej lënda narkotike, disa të ardhura direkt nga Shqipëria.
Ekipi që merrej me nxjerrjen e drogës nga kontejnerët ishte i pajisur nga organizata me të gjitha mjetet e punës: gërshërë, prerëse teli, levë, thasë për të mbajtur drogën dhe gjithashtu litarë dhe parzmore në rast se droga ishte vendosur shumë larg në kontejner.
Kur situata ishte shumë e ndërlikuar, grupi merrte një ekip të specializuar nga Shqipëria, “profesionistë të lirë” të vërtetë, të cilët paguheshin me lëndë narkotike, përgjithësisht 30 për qind të vlerës së kokainës që kapnin.