Prokuroria Berat kërkon 25 vite burg për shtetasin Benjamin Hajro, i cili akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997.
Më gusht 2019, Byniamin Hajro u ekstradua nga Gjermania pas 21 vitesh në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Ai ka qenë në listën e 16 personave më të kërkuar në qytetin e Beratit, pasi akuzohet për vrasjen e dy të rinjve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema.
Hajro në bashkëpunim me persona të tjerë, të paidentifikuar, i rrëmbyen dy të rinjtë, i torturuan me sende të forta, edhe me armë zjarri, dhe më pas i dogjën të gjallë në një garazh.
Përkundër këtyre akteve çnjerëzore më pas, Hajro dhe anëtarët e bandës Vakëf, i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytetin e Beratit.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në përfundim të hetimit, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit B.H., për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal ndaj viktimave E.P. dhe A.A., në vitin 1997 dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim.
Në kuadër të procedimit penal nr. 175 për vrasjen e dy shtetasve më 03.06.1997, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, ka prova të mjaftueshme se i pandehuri B.H., ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.
Nga hetimet rezultoi se i pandehuri, shtetasi B.H., në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, pasi i kanë rrëmbyer viktimat E.P. dhe A.A., i kanë futur në një garazhd dhe i kanë tortuar duke i goditur me mjete të forta, me armë zjarri dhe duke i djegur ata të gjallë, duke iu shkaktuar kështu vdekjen. Pas torturave, autorët e veprës penale i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytet.
Prokuroria provoi se i pandehuri B.H., ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim (dy herë), parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe ka kryer veprën penale duke qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit.
Sa më sipër u arrit në përfundimin se shtetasi B.H., me veprimet e tij të kundërligjshme ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal.