Dy vëllezër janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi shantazhonin me foto dhe video intime vajza në rrjetet sociale duke u marrë para.
Njoftimi i policisë:
‘Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit H. M., 20 vjeç, dhe J. M., 18 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë.
Falë veprimeve hetimore profesionale nga specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve Kibernetike, të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të dy vëllezërve, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime, dhe për mospublikimin e këtyre materialeve, kërkonin shuma të ndryshme parash.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera janë dokumentuar ligjërisht 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilat dy vëllezërit kanë përfituar shuma parash nga një 14-vjeçare.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma parash dhe 2 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.