Mes planeve të shumtë dhe sigurimit të mjeteve për të kryer vrasjen e Erjon Alibej në Elbasan, organizata e drejtuar nga vëllezërit Çopja synoi të vinte në zbatim ekzekutimin me snajper të tij brenda burgut të Bradasheshit apo brenda shtëpisë së tij në Elbasan.
Në shtëpi Alibej pretendohet nga SPAK se do vritej përmes një skenari që do vihej në zbatim nga Ervis Daka alias Dragoviç, i cili do inskenonte një zjarr të qëllimshëm brenda në pallat dhe më pas Daka i veshur me uniformë zjarrfikësi do hynte në brenda ambjenteve të shtëpi ku do qëllonte Erjon Alibej.
Kurse skenari i dytë lidhet me vrasjen e tij me snajper nga Altin Ndoci, teksa Alibej qëndronte i izoluar në burgun e Bradasheshit dhe pikërisht në dhomën ku kishte patur qëndruar më parë dhe Admir Tafilaj, i dënuar me burg të përjetshëm.
Sipas dosjes hetimore në 18 shkurt 2020, Mikael Qosja alias Kamami ka biseduar me Ervis Daka për vrasjen e Erion Alibej. Ervis Daka shpreh dëshirën për të ekzekutuar Erion Alibej dhe është i gatshëm “…të bëhet ai Kurban…” vetëm kjo punë të mbarojë.
Në vijim Ervis Daka e pyet Mikael Kamamin, nëse njeh dikë tek pallati i Erion Alibej, me qëllim ndezjen e një zjarri dhe që më pas të futet Ervis Daka si zjarrfikës dhe të ekzekutoj Erion Alibej. Këto mesazhe i janë dërguar dhe Franc Çopja në forward nga Mikael Kamami. Ndërkohë në datën 2 mars 2020 Mikael Kamami, ka biseduar me Besmir Haxhian (i vrarë në Durrës) për ekzekutimin e Erion Alibej me një dron.
Besmir Haxhia, i ka thënë Mikael Kamamit se këtë ngjarje do ta kryejë grupi i tyre dhe nuk duhet të angazhojnë persona të tjerë pasi sipas tij, kjo gjë mund t’i ekspozojë. Ndërkohë në 4 Mars 2020, Mikael Kamami, bisedon me Franc Çopjan, të cilin e informon duke i thënë se snajperi dhe dronët do jenë gati për ekzekutimin e Erion Alibej.
Mikael Kamami, që përdor nofkën “Canada Ca” dhe Altin Ndoci që përdor nofkën “The first time” kanë shkëmbyer disa mesazhe ku evidentohet se është zhvilluar bisedë ndërmjet Altin Ndocit dhe “Çoles” Flobenc Gega alias Meçja alias Drini.
Sipas Altin Ndocit, “Çolja” do të nxjerrë në pritë “Krymin” (Erion Alibej) kur të dalë nga burgu dhe do e qërojë. Biseda zhvillohet në kohën që është zhvilluar kur Erion Alibej ka qenë në IEVP, Elbasan. Sipas Mikael Kamamit shuma për ekzekutimin e Erion Alibej varion nga 500 000 deri në 1 000 000 Euro.
Altin Ndoci ka dhënë detaje se nuk mund të godasin me snajper tek Erion Alibej pasi ka vështirësi nuk mund të depërtojnë plumbat pasi janë godinat që e mbrojnë. Altin Ndoci ka dhënë detaje se në atë dhomë që po qëndron Erion Alibej ka qëndruar dhe Tafili./Marrë nga Ora News