Kronikë

Nga Rama e Berisha te deputetët e PS dhe PD, reagimet e politikës për Gert Bogdanin

Shkruar nga Liberale
Nga Rama e Berisha te deputetët e PS dhe PD, reagimet e politikës

Gerti Bogdani u nda nga jeta papritur mesditën e kësaj të mërkure. Ish-deputeti i Partisë Demokratike pësoi arrest kardiak ndërsa ishte në ambientet e një lokali në rrugën “Dëshmorët e kombit”.

Të shumtë ishin politikanët që kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për largimin e tij të papritur nga jeta. Kolegët e tij opozitarë janë shprehur të tronditur nga ikja e parakohshme.

"Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe.

Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!", shkruan Lulzim Basha. 

“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare”,-ka shkruar ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij:

“Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”,-shkruan ai në Facebook.

“Eshte shokuese, miku im prej vitesh Gerti Bogdani, deputet i Partise Demokratike, ish kryetar i FRPD nje njeri me cilesi te vecanta njerezore nderroj jetë. Të gjithë jemi pa fjalë, kjo është dhimbje e madhe. Zoti i dhëntë forcë Edlirës dhe fëmijëve, prindërve dhe vëllait të Gertit në këtë moment shumë të vështirë.Prehu në paqe miku im pranë Zotit që ti besoje aq shumë”,-shkruan Fatmir Mediu.

“Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes”,-u shpreh ish-presidenti Ilir Meta.

Mesazhet e ngushëllimit nuk kanë munguar as nga kundërshtarët e tij politik. Ata janë shprehur të tronditur për një ikje kaq të parakohshme dhe shprehin vlerësimin për angazhimin politik të Bogdanit duke e quajtur atë “Një zë frymëzues në politikën shqiptare”.

“I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit, ngushëllime bashkëshortes dhe familjes. U prehtë në paqe!”,-shkruan krybashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

“Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë Gerti Bogdani. Një zë frymëzues në politikën shqiptare, në mbështetje të të rinjve dhe profesionistëve. U prehsh në paqe, Gerti!”-shkruan Niko Peleshi.

“Nuk mund të ketë fjalë të duhura ngushëllimi për ikjen tënde të parakohshme Gert Bogdani. Thjesht, pusho në paqe!”-shprehet Mimi Kodheli.

“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”,-shkruan nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH