Bie në prangat e policisë Marklen Haka, 33-vjeçari i cili shpëtoi nga një atentat që iu bë në Nikël dy vjet më parë.
Marklen Haka është emër i njohur për drejtësinë me disa precedent penal. Në janar të vitit 2020 Marklen Haka u arrestua nga forcat RENEA gjatë një operacioni te shtrirë në disa qytete të vendit.
Ai ra në pranga si i dyshuar për 3 vepra penale, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”, por liria e tij do të kufizohej vetëm pak ditë. Prokuroria nuk mundi ti faktonte këto akuza dhe ai u la I lirë nga gjykata.
Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash. Ai rezulton i dyshuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale por nuk është përballur me drejtësinë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.
Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.
Përpjekja për t'ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie.