Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Athinën, ku dy shqiptarë ranë pre e një atentati mafioz në Greqi.
Ngjarja kriminale ndodhi pak pas mesditës së sotme, rreth orës 13:00, jashtë ambienteve të një lokali në lagjen Thrakpmakedones.
Njëri prej shqiptareve, i identifikuar si Irakli Davella, 47-vjeç u qëllua me plumb në kokë, ku fatkeqësisht gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa shqiptari tjetër, 46-vjeçari Edi Lolo mbeti i plagosur rëndë.
Raportohet se ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të plagëve të marra në kokë dhe në bark.
Sipas asaj që raportuan mediat greke, atentati ndodhi jashtë një lokali në lagjen Thrakpmakedones, ku autorët me një makinë të bardhë të cilën e kishin vjedhur këtë të dielë në zonën e Patisias, i zunë pritë dy shqiptarëve.
Sipas dëshmitarëve nga vendngjarja, autorët të veshur me rroba ngjyrë të zezë iu afruan viktimave në këmbë dhe menjëherë filluan të qëllojnë drejt tyre. Më pas ata u larguan nga vendi i ngjarjes me shpejtësi me automjetin e vjedhur.
“Dëgjuam të shtëna, pamë njerëz me të zeza te lisharëset. Në fillim menduam se po hidhnin fishekzjarrë. Pastaj, pamë një djalë që thërriste ‘i kanë vrarë, i kanë goditur’. Policia erdhi relativisht shpejt, më pas filluan të mblidheshin njerëz, sepse në fillim nuk e kishin kuptuar çfarë kishte ndodhur", tha një prej dëshmitarëve.
“Shënjestra” e këtij atentati dyshohet të ketë qenë Irakli Davella, emër i njohur për autoritetet greke. Sarandioti, i cilii gëzonte dhe nënshtetësi greke, rezulton të ketë qenë miku i 3 personazheve të tjerë të ekzekutuar në Greqi vitet e fundit, konkretisht mafiozëve grekë Manolis Karagiannis, Vasili Griva dhe Giorgo Litsa.