Një ditë pas atentatit me tre viktima në Dobraç të Shkodrës, janë zbardhur të tjera detaje. Mësohet se në makinë me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin ka qenë edhe një person i tretë, identiteti i të cilit mbetet mister.
Siç duket edhe nga foto ai është filmuar nga kamera amatore, i veshur me bluzë, xhaketë dhe pantallona të zeza. Në foto personi është pasi ka dalë nga makina. Duket i tronditur dhe duart i ka me gjak, dhe në ball ka njollë gjaku.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë shoqëruar dhjetëra persona por ende policia e Shkodrës nuk ka arritur të identifikojë autorët e kësaj ngjarje të rëndë e cila tronditi opinionin publik.
Policia e Shkodrës është rikthyer sërish në skenën e krimit ku një ditë më parë, 30 tetor, u vranë në një atentat mafioz Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastit, Flutura Basha. Deri tani, Policia e Shkodrës ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërkohë që ka marrë në vëzhgim edhe automjetin e djegur në fshatin Golem.
Policia e Shkodrës dyshon se në makinën ku ishin viktimat kanë qenë 3 persona, kjo pasi u gjetën 3 pistoleta. Personi i 3-të, mund t’i ketë shpëtuar atentatit dhe është larguar. Policia ka gjetur gjumë gjaku të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin kriminalistik.