Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit Albano Rustemi.
Në kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ai ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
“Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për: dekonspirim të aksioneve të policisë; përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve; dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit; kontrabandë me mallra të tjera.
Vijon hetimi për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale.