Darment Keli, 25 vjeç, u paraqit sot para Gjykatës së Tiranës për të mësuar masën e sigurisë që do t’i shpallet.
Keli akuzohet për vrasjen e Amarildo Hoxhallarit, 34 vjeç, të cilën e ka kryer me thikë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Astirit më 24 gusht. Gjatë hetimeve, Keli ka deklaruar se ngacmimet që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës së tij kanë qenë shkaku që ka çuar në këtë incident të rëndë.
“Sapo kisha arritur afër shtëpisë bashkë me të fejuarën. Ajo shkoi tek parkimi dhe unë u ngjita lart kur pashë një motor që po e ndiqte dhe po e ngacmonin. Nga ballkoni u fola por me ofenduan. Mora thikën dhe zbrita poshtë.
Ata ishin dy veta. Amarildo Hoxhallari me ofendoi sërish dhe më goditi. Në sherr e sipër e godita me thikë që kisha marrë në shtëpi. Nuk kisha qëllim ta vrisja por me ofendoi dhe më goditi përpara”, tha Darment Keli në dëshminë e tij.