Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në rrugën Ura e Çernecit-Librazhd. Një automjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga duke përfunduar disa metra poshtë saj.
Si pasojë e rrokullisjes së automjetit, ka humbur jetën drejtuesi dhe janë plagosur dy të tjerë.
Kanë qenë kalimtarë të rastit ata të cilët kanë pikasur automjetin disa metra poshtë rrugës dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur autoambulanca e spitalit të Bulqizës e cila ka bërë të mundur transportimin e dy pasagjerëve të plagosur, ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, dyshohet se drejtuesi i automjetit e ka humbur jetën në vendin e aksidentit për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vërteta të aksidentit të rëndë ndërsa paraprakisht dyshohet të jetë nga lagështia në rrugë.