Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Vetëm 14 % kanë mbetur në fshat, përse po largohen edhe pensionistët nga zonat rurale?

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: Vetëm 14 % kanë mbetur në fshat, përse

Në çdo shkollë, në çdo cep të Shqipërisë, numri i nxënësve është duke u pakësuar çdo vit e më shumë. Fshatrat e Shqipërisë nuk po i braktisin vetëm të rinjtë dhe mosha aktive për punë. Të dhënat tregojnë se në zonat rurale po pakësohen edhe nga personat e moshës së tretë. Në fakt duhet të ndodhte e kundërta. Pas daljes në pension, qytetarët në botën e zhvilluar kthehen dhe e kalojnë pjesën e mbetur të jetës në fshat.

Të dhënat e fundit zyrtare të bëra publike tregojnë se 93 % e pensionistëve jetojnë në zonat urbane. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nga 705 mijë pensionistë që kishte në vitin 2023, 609 mijë prej tyre ishin nga zonat urbane.  
E ndërsa sot gëzojnë pension mbi 700 mijë qytetarë dhe raporti kontribues përfitues është 1.17 me 1, një raport i brishtë për një skemë pensioni të qëndrueshme. Nga ana tjetër qytetarët në pension pohojnë vazhdimisht teksa është rritur ndjeshëm kostoja e jetesës se masa e pensioneve nuk mjafton për të përballuar jetesën.

Po t’i referohemi 5 viteve të fundit, numri i pensioneve urbane ka ardhur vazhdimisht në rritje, ndërsa ai i zonave rurale ka ardhur në ulje. 

Nga raporti, 81% pensione urbane me 19% në ato rurale në vitin 2019, kemi arritur në raportin 86 % në 14 % në vitin 2023.

Në Shqipëri qëndrueshmëria e sistemit të pensioneve është dhe mbetet një ndër sfidat kryesore të qeverisë. Në 30 vitet e fundit ajo ka marrë goditje nga një sërë faktorësh që lidhen me informalitetin në ekonomi, plakjen e popullsisë apo emigracionin e lartë. Skema e pensioneve vijon të mbetet e rrezikuar nga presione të vazhdueshme dhe afatgjata ndaj dhe autoritetet zyrtare po bashkëpunojnë së fundi me Bankën Botërore, për t’u përballur me këtë realitet.

Ndryshimet që pësoi skema e pensioneve një dekadë më parë, si rritja e moshës së pensionit, apo vendosja e barazisë, pra të një raporti të drejtë midis kontributeve dhe masës së pensionit, të shoqëruara edhe me masa të tjera sollën një qëndrueshmëri financiare. Sot defiçiti i skemës, është 0.85% e PBB nga 2 që ishte dhjetë vjet më parë. Kjo do të thotë se fondet e buxhetit të shtetit që përdoren për të plotësuar ato të pensioneve kanë ardhur në rënie.

Por megjithatë, zyrtarët mendojnë se skema po merr goditje të vazhdueshme kryesisht nga zhvillimet demografike, si emigracioni, rënia e lindjeve apo rritja e jetëgjatësisë, të cilat për pasojë sjellin plakjen e popullsisë. BB parashikon që në vitin 2035 popullsia në moshë pensioni të rritet në 24% nga 19 që ishte në vitin 2019. Sektori privat në Shqipëri është kontributori më i madh në fondin e pensioneve. Industria e ndërtimit dhe shërbimet mbajnë peshën më të lartë. Bujqësia edhe pse punëson thuajse gjysmën e fuqisë punëtore në vend, ka një shkallë të ulët të kontributeve, për shkak të funksionimit të çrregullt të saj.

Autoritetet shpjegojnë se politika e qeverisë për rritjen e pagave ka sjellë më shumë kontribute në fondin e sigurimeve shoqërore, por studiues të zhvillimeve ekonomike në vend, vënë theksin edhe te nevoja për një ekonomi me nivel të lartë produktiviteti dhe me paga të larta.

Skema e pensioneve po vuan pasojat e zhvillimeve të paqëndrueshme ekonomike dhe shoqërore të mbi tre dekadave. Gjatë viteve të fundit po del në sipërfaqe një problem shqetësues. Një pension i plotë përfitohet pas 38 viteve punë, dhe ai minimal pas 15 viteve, ndërsa vihet re se është rritur numri i pensionstëve të rinj, me më pak vite punë. Mesatarja e viteve të punës për afro 40 mijë persona që dalin në pension çdo vit ka ardhur duke rënë, nga 30 dy vite më parë në 27 vite e gjysmë aktualisht. Por autoritetet konstatojnë me shqetësim se është rritur edhe numri pensionistëve që kanë 15 vite punë. Kjo do të thotë një pension i ulët për ta dhe më shumë vështirësi për të përballuar jetën.

ISSH, pranon se përqindja që zë pensioni në raport me pagën mesatare po bie. Mesatarja e përgjithshme është 32%, ndërsa në vende të zhvilluara pensioni arrin 60% të pagës neto. BB vëren se duhen krijuar stimuj për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve të paguajnë kontribute shoqërore, ndërsa nënvizon se po punon me qeverinë për të adresuar rekomandime në këtë drejtim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH