Aranit Muraçi
Si në vlerë ashtu edhe në volum, pra në sasi, importi i produkteve bulmetore ka arritur një rekord të ri në muajin Gusht të këtij vitit. Sipas shifrave zyrtare muajin që shënon kulmin sezonal të turizmit u importuan në sasi rreth 23% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Me tepër sesa rritja e numrit të turistëve, rritja e importit të produkteve bulmetore lidhet me rënien e prodhimeve vendase, kjo për shkak të emigracionit të lartë.
Italia, Greqia, Gjermania, Hungaria, dhe Serbia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në drejtim të importit të produkteve të bulmetit.
Shqiptarët emigrojnë prej 30 viteve në vendet e tjera, kryesisht në Itali dhe Greqi. Në vendet ku ata emigrojnë punojnë dhe merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Ata të cilët merren me blegtori, ndihmojnë vendet fqinje të rrisin prodhimin. Greqia për shembull, pasi falë vlerës së shtuar të punës prej shqiptarëve, dhe pasi i plotëson nevojat për konsum, i eksporton tepricat. E njëjta gjë ndodh edhe me vendet e tjera.
‘Ekonomistë’, ‘ekspertët’, ‘specialistët’ dhe ‘patriotët’ të cilët vendi ynë ‘i prodhon’ dhe i promovon me shumicë, duhet të ishin alarmuar dhe t’i japin një përgjigje të dhënave të fundit dramatike.
Si është e mundur që Shqipëria, një vend i bekuar nga natyra për të zhvilluar blegtorinë dhe bujqësinë, të importojë bulmetra nga vendet më të mëdha të industrisë në botë, si Italia dhe Gjermania, ose nga vendet fqinje, si Greqia dhe Serbia?
Ku janë patriotët dhe çfarë përgjigje kanë ekonomistët, që çirren pa pushim mbi teori "që vijnë edhe prej importi", kryesisht ata të cilët paguhen për t’iu afruar shqiptarëve një realitet dhe një pasqyrë tjetër, për një të ardhme më të mirë?
A është kjo në një disfatë, apo një katastrofë ekonomike?
Të dhënat, ndryshe nga çfarë “ekspertët e astrologjisë” parashtrojnë për ekonominë, janë dramatike për Shqipërinë.
Përgjatë pesë viteve të fundit duket se sektori i blegtorisë paraqitet në një rënie të qëndrueshme sa i përket numrit të krerëve apo edhe prodhimit blegtoral. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, prodhimi total i qumështit ka pësuar një rënie prej 19.1%, ndërkohë që edhe produkti i mishit ka pasur një trend të ngjashëm. Në harkun kohor të 5 viteve prodhimi i përgjithshëm i mishit ka rënë me 13.6%. Nëse i referohemi vetëm prodhimit të qumështit, konkretisht, në vitin 2023, prodhimi i qumështit ka rënë me 7.17%, krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, importi i produkteve bulmetore, ku qumështi zë një peshë të konsiderueshme, ka shënuar rekord absolut në muajin gusht të këtij viti. Vlera e produkteve bulmetore të importuara në muajin gusht të këtij viti arriti në rreth 767 milionë lekë, ose rreth 33% më shumë se vitin e kaluar.
Kjo vlerë është më e larta që nga muaji Janar i vitit 2005, vit kur fillojnë të dhënat statistikore të INSTAT për këtë tregues. Nëse analizojmë shifrat për periudhën Janar-Gusht të këtij viti shohim se vlera e produkteve bulmetore të importuara arriti në 4.5 miliardë lekë, ose rreth 8% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Cilat janë pasojat e tjera për konsumatorin nga importi?
Konsumatori shqiptar duhet të paguajë edhe koston e transportit dhe të doganave, për produkte që nëse do të kishte politika të mirëfillta zhvillimi fare mirë mund të prodhoheshin në Shqipëri.
Paradoksalisht Shqipëria është vendi më bujqësor i Europës, për shkak të madhësisë së sektorit në ekonomi (rreth 20% e PBB-së me 2021) dhe kontributit në punësim, por nga ana tjetër ka ndër çmimet më të larta të bulmetit në Europë.
Në vitin 2022 vendi ynë u rendit ndër vendet europiane me çmimin më të lartë të produkteve të bulmetit dhe të vezëve në një publikim i fundit i Eurostat mbi të dhënat e konsumit për frymë në vendet e BE-së dhe ato kandidate.
Çmimet e bulmetit dhe vezëve ne Shqipëri ishin sa 111.7 për qind e mesatares se vendeve të Bashkimit Europian ose e thëne ndryshe nëse 1 kilogram nga këto produkte në BE kushton mesatarisht 100 lekë në Shqipëri kushtoi 111.7 lekë me 2022. Rritja e importeve në vitin e fundit i ka bërë edhe më të shtrenjta prudktet bulmetore për konsumtarin shqiptar.