Të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve në vendin tonë është rritur me rreth 20 për qind në qershor të këtij viti. Në Qershor 2024, krahasuar me Qershor 2023, hyrjet e shtetasve të huaj sipas asaj që kanë deklaruar shënojnë më shumë rritje për biznes dhe qëllime profesionale dhe jo për turizëm. Numri i të huajve që kanë ardhur për biznes dhe punë në Shqipëri është 57,2 %.
Nëse do ti referohemi të dhënave si 6-mujor, sipas Instat në Shqipëri kanë hyrë 4.5 milion të huaj nga 3.3 milion që u regjistruan në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje 34 %.
Nëse analizojmë flukset e dy viteve të fundit, ritmi i rritjes për hyrjen e shtetasve të huaj gjatë këtij qershori është më i ngadalësuar. Ekspertët e shpjegojnë këtë me faktin se gjatë muajve të pranverës pati një rritje të ndjeshme, pasi ka një interes të shtuar për turizmin kulturor, malorë dhe atë historik. Kjo do të thotë se ka një trend të ndryshimit të turizmit në vendin tonë.
Numrin më të madh vijojnë ta mbajnë kosovarët, me 1.7 milion në 6 muajt e parë, nga 1.3 që ishin një vit më parë
Sipas të dhënave të Eurostat, pothuajse të gjitha vendet e Europës po përjetojnë një bum turizmi këtë verë. Por ku qëndron Shqipëria, në raport me vendet e tjera?
Të gjithë të huajt që vijnë, a janë turistë?
Gjatë muajit Qershor 2024 rezultojnë të kenë hyrë në territorin shqiptar 1.921.208 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 21,5 %, krahasuar me Qershor 2023.
1.788.916 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 20,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Qershor 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 676.241, duke pësuar një rritje me 17,7 %, krahasuar me Qershor 2023.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.244.967. Ky numër është rritur me 23,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndryshimi i turistëve të huaj dhe i emigrantëve ose shqiptarëve që lëvizin, siç tregojnë shifrat zyrtare është i papërfillshëm.
Në muajin Qershor 2024, 642.471 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 11,5 %, krahasuar me Qershor 2023. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2024, janë 1.146.445. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 25,4 %.
Në Qershor 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.174.197 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 41.921 dhe 11.103 shtetas.
Në Qershor 2024, krahasuar me Qershor 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë:
• rritje, për qëllime personale me 23,2 %;
• rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj., me 25,1 %;
• rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 57,2 % (tab.3)