Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Taksa ‘e pamoralshme’, me 30 mijë të vetëpunësuarit

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Taksa ‘e pamoralshme’, me 30 mijë të

30 mijë të vetëpunësuar që janë prekur nga ndryshimet ligjore për tatimin mbi të ardhurat, duket se nuk do të bëjnë asnjë pagesë deri në muajin qershor me shpresë se do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të rrëzojë ligjin.

Muaji qershor është dhe afati i fundit, para se të nisin kamatëvonesat dhe penalitetet për shumë të vetëpunësuar. Të vetë-punësuarit janë surprizuar jo vetëm nga ligji, shumë prej të cilëve as nuk e kishin idenë kur hyri në fuqi, por edhe nga surprizat që u kanë rezervuar Tatimet.  

Profesionistët e lirë po bëjnë prej kohësh të gjithë përpjekjet për të bindur Gjykatën Kushtetuese se qeveria ka gabuar, kur vendosi fashat 15 dhe 23%, e po ashtu edhe administrata tatimore, e cila ka llogaritur shumën që taksohet.

Këstet që tatimet kanë çuar në adresë të profesionistëve të lirë, për cilindo janë absurde dhe do të prishin ekuilibrin e tregut që ata kanë ngritur. Në një takim që bëri bashkë më shumë se 50 të vetëpunësuar, ligji nxori edhe probleme të tjera që lidheshin me parapagesën dhe riskun për të mos fituar njësoj si në vitin paraardhës.

Seanca e parë e shqyrtimit të padisë së depozituar në gjykatë kushtetuese, nga Partia Demokratike kundër këtij ligji, është caktuar më 21 maj, ndërkohë që afati i fundit për të paguar këstet, nuk mjafton.

Nga 1 janari 2024 të gjithë personat fizikë, tregtarë ose të vetë-punësuarit e profesioneve të lira, nuk do të trajtohen më si deri tani, pra, si biznes i vogël me 0% tatim.

E ndërsa po rriten pagat për Administratën Publike, pa asnjë kriter lidhur me produktivitetin dhe mundësitë, ishte shtruar shpesh pyetja: ku do të merren paratë për të paguar faturën vjetore që shkon rreth 400 milionë euro?

Kishte dy rrugë, ose nga rritja e pastudiuar e pagave do të rritej inflacioni, çka do të thotë se rritja e çmimeve do të vriste xhepat e pjesës tjetër të shoqërisë, ose do të taksohej biznesi privat dhe sipërmarrja e lirë. Në këtë këndvështrim, duket se kanë ndodhur të dyja fenomenet.

Por çudia më e madhe qëndron te fakti se mungon taksa që duhet të ishte vendosur mbi fitimet e kompanive të mëdha, ndërkohë që është vendosur një e tillë mbi profesionet e lira, çka nxit jo vetëm padrejtësi sociale por edhe pabarazi të mëdha mes shtresave të shoqërisë.   

Ndjekja e një lloj politike të tillë fiskale pasuron një pjesë shumë të vogël të shoqërisë dhe varfëron një pjesë shumë të madhe të saj. Një e tillë gjithashtu “vret” shtresën e mesme, të cilën e dekurajon deri në atë pikë sa duhet të zgjedhë mes falimentit dhe emigracionit.  

Sipas ligjit mbi tatim-fitimin ndaj profesioneve të lira, ata që sigurojnë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15%, ndërsa ata që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 23% tatim.

Është e qartë që buxheti i shtetit mbahet nga taksat. Por duket sikur tingëllon e pamoralshme që të mundohesh nga njëra anë të tatosh sa më shumë dhe mbi mundësitë që kanë ata të cilët e nxjerrin një produkt në treg, kanë talent, zotësi, ose sigurojnë të ardhura që vijnë nga profesioni, dhe nga ana tjetër të “përkëdhelësh” tregtarin pa produkt por me fitime dhjetra milionë euro, burokratin, manipulatorin. Pa llogaritur faktin  e mungesës së ndërgjegjësimit; që të tatosh të ndershmin i cili paguan taksat, dhe të tolerosh atë që kryen një aferë korruptive ose evazion fiskal.  Dhe pas gjithë kësaj, ankesat e shumta për mungesë të fuqisë punëtore nuk kanë pse motivohen. Mungesa e profesionistëve në treg ka arsyet e saj.   

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH