Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Shqiptarët më të varfrit në Europë sipas FMN-së dhe Eurostat, Censi 2023 i bën papritur “milioner”

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: Shqiptarët më të varfrit në Europë

Nga Aranit Muraçi

Sipas të dhënave të vitit 2024, Shqipëria mbetet e fundit në rajon dhe Europë, sa i përket analizës së GDP-së për frymë, por, pozicionohet më mirë se shumica e vendeve të Afrikës. GDP për frymë llogaritet nga të ardhurat që siguron secili banor mbi performancën ekonomike të një vendi të caktuar.

Të dhënat e vitit 2024, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se GDP për frymë, për vendin tonë është 20.63 mijë dhe nëse krahasohemi me rajonin, një e dhënë e tillë është më e ulët se e çdo vendi tjetër (tabela); Serbia afërisht (27 mijë, Rumania (43), Maqedonia e Veriut (25.5), dhe Mali i Zi (29.7).  Një vend i vogël por i pasur i shpërndan të ardhurat për frymë, në mënyrë më efektive se një vend i madh dhe i pasur. Siç tregon harta botërore, kjo është arsyeja pse vende të vogla si Luksemburgu (143) dhe Singapori (133) i kanë të ardhurat për frymë gati dy herë më të lartë se ekonomia më e fuqishme e Europës, që është Gjermania (67).  

SHIFRA E DITËS: Shqiptarët më të varfrit në Europë
Të ardhurat sipas FMN-së, Shqipëria krahasuar me BE-në dhe vendet e rajonit

Censi 2023 i bën papritur shqiptarët “milioner”

Nga të dhënat e Censit 2023, me rreth 400 mijë banorë më pak, që kanë ikur kryesisht në emigracion, vlera që prodhon ekonomia në një vit rishpërndahet në 2.4 milionë persona dhe jo rreth 2.8 milionë që përllogaritej treguesi për frymë gjatë 12 viteve të kaluara.  Nëse i referohemi të dhënave nga Ministria e Financave, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhon ekonomia në një vit ishte 2.3 trilionë lekë, ose 23 miliardë euro. Po sipas Financave, të ardhurat për frymë të shprehura në lekë në vitin 2023 ishin 829 mijë lekë. Kjo shifër është llogaritur për një popullsi prej 2.78 milionë banorë. Me rënien e popullsisë, në rreth 2.4 milionë banorësh, treguesi për frymë automatikisht shkon në 963 mijë lekë për frymë, me një rritje prej 13%, ose rreth 1300 euro më shumë për çdo banor të Shqipërisë.

Të ardhurat për shqiptarët sipas Eurostat

Ky tregues pritet të përmirësohet edhe në llogaritjet e institucioneve të tjera ndërkombëtare, teksa Shqipëria pritet të lërë pas vende të tjera të rajonit, si Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, Instituti Europian i Statistikave, Shqipëria renditet e fundit, me 41% të mesatares europiane, ne të njëjtat nivele me Bosnjë Hercegovinën. Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi me 63%, e ndjekur nga Serbia me 53%. Rritja ekonomike e nxitur kryesisht nga fluksi i lartë i ndërtimeve dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme, apo dhe numri në rritje i turistëve nuk duket që të jenë përmirësuar mirëqenien e qytetarëve në Shqipërisë.  Të dhënat e fundit të EUROSTAT bëjnë të ditur se në vitin 2023, sa i përket Prodhimit të Brendshëm për Frymë Shqipëria i kishte sa 43% e BE-së. Serbia e kishte këtë tregues 44%, ndërsa nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50%. Të dhënat për Kosovën nuk janë të disponueshme. Maqedonia e Veriut me 42% të mesatares evropiane dhe Bosnjë Hercegovina sa 35% e mesatares europiane. Edhe në tregues tjetër, atë të të konsumit individual për frymë (AIC), i cili mat fuqinë blerëse të mallrave e shërbimeve, Shqipëria renditet e fundit, me 41% të mesatares europiane, ne të njëjtat nivele me Bosnjë Hercegovinën. Nivelin më të lartë e ka Mali i Zi me 63%, e ndjekur nga Serbia me 53%. Maqedonia renditet e parafundit fundit me 49% të mesatares evropiane.

Të ardhurat për vendet e tjera të botës sipas Eurostat

Sipas EUROSTAT, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Bashkimit Europian në vitin 2021 përfaqësonte 15.2% të PBB-së botërore kur shprehet në standardet e fuqisë blerëse (PPS). Ekonomia më e madhe në botë në vitin 2021 ishte Kina me rreth 18.9% të PBB-së botërore. Shtetet e Bashkuara ishin të dytat më të mëdha, me 15.5% të PBB-së. BE-ja ishte në vendin e tretë, me 15.2%. Në mesin e 20 vendeve në botë me një pjesë më të madhe se 1% të PBB-së botërore të shprehur në PPS, ishin 5 vende të BE-së: Gjermania (3.4%), Franca (2.4%), Italia (1.9%), Spanja (1.4%) dhe Polonia (1.0%). Të gjitha së bashku kontribuuan me rreth 10.1% në PBB-në botërore. Duke parë PBB-në për frymë për 20 ekonomitë më të mëdha të botës në vitin 2021, vetëm 6 vende ishin mbi mesataren e BE-së: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Australia, Kanadaja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndërsa ekonomia kineze ishte më e madhja për sa i përket PBB-së në PPS, PBB për frymë ishte vetëm 39% e mesatares së BE-së.

SHIFRA E DITËS: Shqiptarët më të varfrit në Europë
Rritja e GDP për frymë e Shqipërisë ndër vite dhe projeksionet sipas FMN-së

Vlerësimi i FMN-së, për Shqipërinë

Në përgjithësi, ekonomia e çdo vendi vjen natyrshëm çdo vit në rritje, rritje të cilën qeveritë zakonisht e interpretojnë si arritje të tyren. Kur popullsia e një vend bie ndjeshëm dhe nga ana tjetër ekonomia rritet normalisht, rritja më e dukshme vërehet te GDP për frymë. Rënia me rreth 400 mijë banorë e popullsisë së Shqipërisë, për vitin 2023, sipas të dhënave më të fundit të Censit, do të thotë se rritja e GDP-së për frymë do të jetë e ndjeshme. Kështu nga dështimi, në parandalimin e emigrantëve,  rritja e ndjeshme e GDP-së për frymë në vendin tonë politikisht mund të përkthehet si sukses i madh ekonomik.   

Megjithatë, në vlerësimin e vitit 2024, FMN thotë se “ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga performuesit më të fortë në rajon. Rritja e rolit të turizmit ka rritur besimin në perspektivat e vendit, një faktor i reflektuar pjesërisht në mbiçmimin e qëndrueshëm të lekut. Ndërsa rritja po zbutet, ajo pritet të mbetet e qëndrueshme në rreth 3½ dhe 3¼ për qind, përkatësisht, në 2023 dhe 2024. Inflacioni po bie gradualisht, megjithëse mbetet mbi objektivin e bankës qendrore në kushtet e tregjeve të shtrënguara të punës. Megjithatë, perspektivat afatmesme janë të kufizuara nga sfidat strukturore, duke përfshirë mangësitë në sundimin e ligjit dhe presionet e emigracionit”.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH