Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Shqipëria rrit eksportet e prodhimeve bujqësore me 12 %, për konsum vetjak i blen nga jashtë

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Shqipëria rrit eksportet e prodhimeve bujqësore

Pas hapjes së kufijve, pritej që në një treg global ku konkurrenca po bëhet gjithmonë e më agresive, Shqipëria do ta kishte të vështirë të fitonte garën e ashpër me vendet e tjera. Vendet e zhvilluara të Perëndimit, sigurisht pa treguar asnjë pikë “mëshire” siç sugjerojnë parimet e tregut, për nevojat e tyre po i rrëmbejnë edhe ata pak të rinj punëtorë dhe të talentuar që i kanë mbetur Shqipërisë. Dhe si emergjencë vendin tonë i mbetet që të gjejë zgjidhje në vendet e largëta të botës së tretë.

Nuk është vetëm emigracioni dhe tregu i punës një problem me të cilin përballet prej dekadash vendi ynë, fenomen që është rënduar kryesisht vitet e fundit, ndoshta edhe për faktin se është lehtësuar mundësia për të lëvizur. Është edhe prodhimi, konsumi, dhe gjithçka tjetër që lidhet me ekonominë. Një pjesë e mirë e prodhimeve të atyre pak shqiptarëve që kanë mbetur eksportohet në vendet e BE-së, ndërkohë që për konsum dhe nevojat e saj Shqipëria importon të njëjtat produkte.

Bujqësia mban një peshë të lartë në strukturën e ekonomisë, me 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe shkallë punësimi rreth 40% të fuqisë punëtore në vend. Por edhe pse ka këtë peshë, gati sa trefishi i rajonit, sektori bujqësor ka produktivitet të ulët, duke mos plotësuar nevojat në vend. Paradoksi shkon më tej: prodhimet më cilësore eksportohen në vendet e tjera.

Çështja kryesore që shtrohet është: pse nuk konsumojnë produktet që prodhojnë vetë shqiptarët por “preferojnë” ato të importit, ndërkohë që në çmim iu duhet sigurisht të paguajnë edhe kostot e transportit dhe ato doganore?! Me siguri në mes të problemit është cilësia dhe tregtia. Në një treg ku nuk kontrollohet cilësia e ushqimeve dhe nuk mbrohet konsumatori kryesisht lulëzon abuzimi bashkë me abuzuesit. Dy janë përfituesit e mëdhenj në këtë rast: tregtarët dhe abuzuesit. Dy janë edhe humbësit e mëdhenj: konsumatorët dhe e ardhmja e vendit. Duke e parë veten të pambrojtur përballë çmimeve dhe cilësisë, konsumatorët do të kenë një arsye më shumë që të largohen. Prodhuesit ashtu si konsumatori do të preferojnë gjithashtu të largohen për të bërë të njëjtën punë, andej nga ku do të paguhen në mirë për punën e tyre. Siç po ndodh me braktisjen masive të zonave rurale ku fermerët preferojnë të bëjnë të njëjtë punë në Greqi ose Itali.            

Për të ilustruar fenomenin që duhet të alarmojë çdo politik-bërës të fushës, le t’i referohemi shifrave më të fundit zyrtare. Importi i zarzavateve dhe frutave u thellua më tej në prill të këtij viti, teksa të dhënat nga INSTAT tregojnë se importi i zarzavateve në vlerë u rrit në 73% në 4-mujorin e parë të vitit 2024, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritje me 25% shënoi edhe importi i frutave në të njëjtën periudhë.

Ndërkaq, eksportet e zarzavateve shënuan rritje vjetore në vlerë me 12% në janar-mars 2024, ndërsa frutat shënuan një rënie me 5.5%. Në dhjetor 2023, importet e zarzavateve u rritën me 80% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Importi i frutave për të njëjtën periudhë u rrit me 55%.

Në tërësi, importet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm këtë vit. Një pjesë e mirë e prodhimit vendas që shkon jashtë, po zëvendësohet me produkte që vijnë nga importi. Situata e krijuar ka nxitur çmime më të larta në grupet që nuk prodhohen në vend. Ndonëse ekspertët në raste të tilla pretendojnë se reduktimi i prodhimit ekspozon vendin ndaj krizave të jashtme dhe monopoleve të grupeve të importit, duket se të tilla paralajmërime kanë rënë në vesh të shurdhët.

Në Shqipëri sipas statistikave zyrtare, vetëm 14% e 350 mijë familjeve fermere kanë mbi 2 ha tokë dhe konsiderohen me potencial prodhues. Ekspertët thonë se bujqësia karakterizohet nga një zhvillim spontan, i paorganizuar dhe me një parcelizim të lartë të tokës, që përbëjnë sipas tyre pengesa serioze në organizimin e fermave të mëdha produktive. Fermerët po përballen me rritjen e lëndëve të para,  dy deri në tre herë të çmimeve të imputeve bujqësore, të cilat importohen plotësisht. Sipas statistikave zyrtare rreth 30% e plehrave kimike importohen nga Rusia. Por fermerët thonë se përtej rritjes së çmimit në tregjet globale, ka abuzime në tregun e brendshëm. Për shkak të abuzimeve të larta u pezulluan fondet e BE-së për bujqësinë në vendin tonë.

Zhvillimi normal i një vendi i bazuar mbi prodhim kërkon politika dhe vizion kombëtar, ndërsa ekonomia dhe fushat e saj pa ekspertizë, do ta kenë jo vetëm të vështirë konkurrencën, por të pamundur për tia dalë mbanë. Që do të thotë se nëse shmanget falimenti, do të mbetet mbijetesa.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH