Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Shqipëria, e treta në Europë më numrin më të ulët të lindjeve

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Shqipëria, e treta në Europë më numrin

Shqipëria ka numrin më të ulët të lindshmërisë në kontinent, sipas të dhënave të Eurostat, pas Spanjës dhe Maltës. Shkak besohet se është largimi masiv i të rinjve në emigracion.

Më keq se Shqipëria (1.21), paraqitet Malta (1.08) dhe Spanja (1.15). Në vendet e rajonit tonë të Bashkimit Europian, Greqia (1.32), Bosnia (1.59) dhe Serbia (1.53) kanë një koeficient më të mirë se Shqipëria. Edhe vendet më të mëdha të Europës, me mbi 60 milionë banorë, kanë një normë lindshmërie më të madhe se Shqipëria. Kështu lindshmëria në Gjermani ishte (1.46) dhe në  Francë (1.79).     

Sipas të dhënave të Eurostat, agjencia europiane e statistikave, në vitin 2022, 3,88 milionë foshnja lindën në BE, një rënie e lehtë nga 4,09 milionë në 2021. Numri i fëmijëve të lindur në BE ka ardhur në rënie që nga viti 2008, kur lindën 4,68 milionë fëmijë. Norma totale e fertilitetit në vitin 2022 ishte 1.46 lindje të gjalla për grua në BE, që është një tjetër rënie, pas një rritje të papërfillshme të regjistruar në vitin 2021 (shkalla totale e lindshmërisë ishte 1.53 në 2021 dhe 1.51 në 2020).

Në vitin 2022, Franca kishte lindshmërinë totale më të lartë në BE (1.79 lindje të gjalla për grua), e ndjekur nga Rumania (1.71), Bullgaria (1.65) dhe Çekia (1.64). Normat më të ulëta të lindshmërisë u regjistruan në Maltë (1.08 lindje për grua), Spanjë (1.16) dhe Itali (1.24).

Sipas të dhënave të Instat, agjencia europiane e statistikave, viti 2022 regjistroi rekordin më të ulët historik të 32 viteve të fundit sa i përket numrit të lindjeve. Gjatë vitit 2022 në Shqipëri janë regjistruar rreth 23 mijë lindje, nga rreth 28 mijë që regjistroheshin në vitin 2021. Rënia drastike është me plot 13%, rënia më e madhe që prej vitit 2002, kur lindjet ranë me 20%.

Në fakt rënia e lindjeve ka vijuar prej dy dekadave por gjatë viteve të fundit është duke u thelluar edhe më tepër. Ndërkohë, rënia më e ulët e lindjeve në harkun kohor të gati 30 viteve është regjistruar përgjatë vitit 2014-të me 0.03%, krahasuar me vitin 2013. Nisur nga kjo tendencë rënëse e numrit të lindjeve duket qartë se popullsia jo vetëm po tkurret, por gjithashtu edhe po plaket me shpejtësi.

Po aq pesimiste janë edhe shifrat e shtesës natyrore të popullsisë. Në  vitin 2021, në kulmin e pandemisë, regjistrohej një shtesë natyrore negative ku vdekjet tejkalonin lindjet me 3,296 vdekje më shumë. Sa i përket shtesës natyrore të popullsisë për vitin 2022 shifrat tregojnë se janë 675 lindje më shumë se vdekje. Edhe pse raportohet shtesë natyrore pozitive, ky tregues është i dyti më i ulët, pas vitit 2020, në 32 vite.

Të dhënat demografike të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), tregojnë se viti 2022, ashtu si viti 2021 apo viti 2020, ka rezultuar fatal sa i përket humbjes së jetëve, krahasuar me vitet e mëparshme. Përgjatë vitit 2022 janë regjistruar gjithsej 22,900 vdekje. Edhe pse është viti i tretë me numrin më të lartë të vdekjeve;  pozitiv është fakti se viti 2022 ka pësuar rënien më të lartë të vdekjeve në 32 vite me 24%, ndërkohë që viti 2021 dhe 2020 shënuan rritjen më të lartë të fataliteteve me 10.5% dhe 25.8%.

SHIFRA E DITËS: Shqipëria, e treta në Europë më numrin

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH