Aranit Muraçi
Më shumë pensionistë i shtohen Shqipërisë çdo vit, më pak të rinj aktivë mbeten në tregun e punës. Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, sipas të dhënave zyrtare të Censusit 2023.
Duke analizuar grup-moshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”. Norma të ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.
Nga analiza e moshës aktuale të popullsisë, kjo do të thotë se në dekadën e ardhshme do të rritet numri i pensionistëve, do të bjerë numri i të rinjve që do të dalin në tregun e punës, apo edhe numri i studentëve. E ndërsa numri i kontribuuesve të sigurimeve shoqërore do të bjerë me rënien e popullsisë aktive për punë, a mund të jetë skema e pensioneve “një bombë me sahat”, në të ardhmen? Qeveria mësohet se është duke punuar me ekspertë ndërkombëtarë të FMN-së dhe Bankës Botërore, për t’i paraprirë një kolapsi të mundshëm, teksa është duke u reformuar aktualisht edhe skema e pensioneve. Sakaq, si zgjidhje emergjente është lufta ndaj informalitetit. Tranzicioni prodhoi një normë të lartë informaliteti, duke lënë të ekspozuar për të mbetur pa pension një pjesë të konsiderueshme të fuqisë aktive për punë, gjatë viteve 1990-2030.
Shqipëria “e plakur” gjatë traznicionit
Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7 përqind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 përqind) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5 përqind në Censin e 2001. Ndërkohë që lindshmëria po kap normat më të ulëta historike, emigracioni sipas të dhënave zyrtare prej vitit 2011 vazhdon t’i largojë mesatarisht 50 mijë qytetarë Shqipërisë. Mbi 73 për qind e tyre vlerësohet të jenë aktivë për punë.
Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0 përqind nga 30,4 përqind vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4 përqind nga 16,7 përqind në 2011. Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8 përqind) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9 përqind). Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0 përqind) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1 përqind). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.
Shpërndarja e popullsisë sipas qarkut
Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6 përqind) banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0 përqind, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7 përqind ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6 dhe 2,5 të popullsisë respektive. Figura 2.5 paraqet shpërndarjen e popullsisë sipas qarkut dhe figura 2.6 paraqet shpërndarjen e popullsisë në territorin e Shqipërisë, duke treguar një përqëndrim në Fier, Durrës dhe veçanërisht Tiranë.
Në të gjithë qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie përgjatë periudhës 2011-2023, në një rang ndryshimesh prej 28,3 për qind në qarkun e Shkodrës dhe 27,3 përqind në qarkun Kukës, deri në 0,7 përqind në qarkun e Beratit. Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Në anën tjetër, popullsia e qarkut Tiranë është rritur me 1,2 përqind, më së shumti prej migracionit të brendshëm. Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8 përqind në 2011 në 31,6 përqind në 2023. /Liberale.al/