Aranit Muraçi
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2024, sipas publikimit më të fundit të INSTAT është 75.114 lekë, duke u rritur me 5,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Duhet theksuar se rritja më e madhe në shumë sektorë të administratës në fillim të tremujorit të tretë, më 1 korrik nuk është përfshirë në llogaritjet e fundit sipas të dhënave të INSTAT.
Vërehen, ndërkaq, 4 paradose pavarësisht rritjes së pagave.
E para, sipas Censit të vitit 2023, Shqipëria humbi në dekadën e fundit rreth 400 mijë banorë, kryesisht për shkak të rënies së lindshmërisë dhe emigracionit. Kjo do të thotë se që kur ka nisur rritja e pagave, fakti që fluksi i emigracionit nuk është ndalur, ose rritja është e padrejtë, sikurse duket se është edhe po aq e paaksesueshme nga shumica e shqiptarëve.
Gjatë tremujorit të dytë 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2024 paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ka rritjen më të madhe prej 11,4 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete
të punës sociale prej 3 %. Kjo për faktin se rritja e madhe në këto kategori ka ndodhur më 1 korrik.
Paradoksi i dytë ka të bëjë me sektorët. Paga mesatare më e lartë është në Administratën Publike sesa në sektorin privat. Duhet të ishte e kundërta, ndërkohë që nuk ka asnjë studim, aq më pak një shpjegim akademik për rritjen që duhet të jetë e bazuar mbi aftësitë dhe produktivitetin.
Në llogaritjen e pagës mesatare mujore bruto përfshihen vetëm numri i të punësuarve kontribues me pagë të cilët punojnë 18 apo më shumë ditë
gjatë muajit referencë. Këta kontibues i përkasin të gjithë aktiviteteve ekonomike përfshi dhe aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit që
deklarohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Ka edhe një paradoks të tretë në paga. Paga mesatare është më e ulët, edhe për ata që janë të kualifikuar, në sektorin me produktivitetin më të lartë, siç janë “punonjës të kualifikuar në bujqësi, pyje dhe peshkim”. Kjo provon pikërisht shpërfilljen ndaj produktivitetit dhe abuzimin masiv me rritjen.
Shpërblimet dhe shtesat mbi pagë janë një pjesë e pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, të cilat në fund të çdo gjashtëmujori rrisin ndjeshëm pagën mesatare mujore bruto. Gjatë tremujorit të dytë 2024, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.
Shpërblimet janë një tjetër paradoks që i shtohen “pagave paradoksale” në vendin tonë. Shpërblimet kryesisht i përkasin sektorit publik dhe ashtu si pagat ato sigurohen nga të ardhurat që mbledh arka e shtetit përmes taksapaguesve. Shpërblimet shihen si “privilegje” të ngjyrosura shpesh me korrupsion apo edhe me lidhje të ngushta nepotike më tepër sesa meritë e punëve ose e rezultateve konkrete, duke shtuar një tjetër padrejtësi brenda sektorit publik veç padrejtësisë dhe hendekut të thelluar mes dy sektorëve; atij shtetëror dhe sektorit privat.