Aranit Muraçi
Qeveritë e BE-së rritën alokimet për Kërkim dhe Zhvilim me 5%, në vitin 2023. Vendet e rajonit shtojnë investimet, ndërsa Shqipëria mund të quhet me plot gojën një mjerim sa u përket investimeve qeveritare për arsim dhe shkencë
Në vitin 2023, alokimet totale të buxhetit të qeverive europiane për Kërkim-Zhvillimin R&D (GBARD) në të gjithë BE-në ishin 123.684 milionë euro, ekuivalente me 0.73% të PBB-së. Kjo ishte një rritje prej 5.3% krahasuar me vitin 2022 (117.424 milionë euro) ose një rritje prej 54.8% krahasuar me vitin 2013 (79.886 milionë euro).
Të dhënat e Eurostat për dekadën e fundit zbulojnë mjerimin shkencor ku është katandisur vendi ynë. Shqipëria shpenzon për shkencën më pak se çdo vend tjetër i Europës, që është marrë në shqyrtim nga Instituti Europian i Statistikave. Në vitin 2013, kur qeveria aktuale erdhi në pushtet, nuk ka pasur të dhëna për Shqipërinë, por një vit më parë, shpenzimet e buxhetit të shtetit për kërkim shkencor ishin vetëm 10 milion Euro, shumë herë më pak se çdo vend tjetër i Bashkimit Europian apo edhe krahasuar me vendet e rajonit, kandidade për në BE. Edhe pse ka pasur një farë përpjekje për të investuar në shkencë, ajo më shumë ka qenë modeste, sa për të thënë që edhe kërkimi shkencor në Shqipëri ekziston si zë në buxhetin e shtetit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria për frymë ka shpenzuar për dekadën dhe vitin e fundit 2023 rreth 200 herë më pak se Gjermania. Në kontrast me shpenzimet në kërkim shkencor të ardhurat për frymë të qytetarëve shqiptarë janë 3 deri në pesë herë më të ulëta se të ardhurat e gjermanëve. Kjo është arsyeja pse shqiptarët po e braktisin masivisht vendin e tyre dhe po largohen drejt Gjermanisë. Sepse për të shëruar “plagët sociale” Shqipërisë minimalisht i duhet të studiojë dhe ta njohë problematikën. Por duke mos investuar në shkencë dhe për një arsim cilësor çdo problematikë që has shoqëria mbetet një “ekuacion i panjohur”. Si duket edhe për politikat qeverisëse i tillë dëshirohet të jetë përderisa investimet shtohen dhe shkojnë për makina të shtrenjta dhe pajisje luksoze zyrash.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria shpenzoi në vitin 2023, në analizën e shpenzimeve totale 27 herë më pak se Serbia, ndërsa ka një popullsi sa gjysma e saj dhe një ekonomi, le të themi të krahasueshme. Vendi tjetër fqinj Greqia me një popullsi 3-4 herë më të madhe dhe një ekonomi sa dyfishi i Shqipërisë shpenzoi mbi 100 herë më shumë se Shqipëria në kërkim shkencor gjatë vitit 2023.
Buxheti i alokuar sipas vendeve në Kërkim Shkencor
Nga shifrat e publikuara nga Eurostat dhe pozicionimi i vendit tonë në kontinent përsa u përket shpenzimeve në arsim dhe shkencë, duket qartë se arsimi nuk është aspak një prioritet. Në vlerë, Shqipëria sipas Eurostat shpenzoi në vitin 2023 vetëm 10 milion euro nga buxheti për kërkim shkencor, ndërsa Serbia 270 milionë euro. Greqia, vend i BE-së shpenzoi 1 miliard e 270 milionë euro. Finlanda me një popullsi sa Shqipëria shpenzoi mbi 2 miliard Euro, kurse Gjermania mbi 44 miliard Euro.
Shpenzimet për Kërkim Shkencor si përqindje e GDP-së së një vendi
Si përqindje e ekonomisë së saj në raport me GDP Shqipëria është i vetmi vend që i ka shpenzimet nën 0.1, duke lënë pas vetëm Islandën. Por Islanda dhe disa vende të tjeta nordike hartojnë plane afatgjata dhe shpenzimet për vitin 2023 janë akorduar në buxhetin e 2020-ës. Qëmdo të thotë se Islanda ka përdorur për kërkim shkencor fondet që kanë tepruar dhe janë përdorur ende gjatë viteve të kaluara. Vendet nordike në përgjithësi kanë shpenzuar në raport me popullsinë gjatë dekadës së fundit më shumë se çdo vend tjetër në shkencë.
Ndarjet e buxhetit të qeverive për Kërkim-Zhvillim në vitin 2023, € për person
Në vitin 2023, alokimet e buxhetit të qeverisë për Kërkim dhe Zhvillim në nivel të BE-së ishin 275,6 € për person, një rritje prej 53,3% krahasuar me vitin 2013 (181,0 € për person). Alokimet më të larta u regjistruan në Luksemburg (646,6 € për person), ndjekur në distancë nga Danimarka (552,4 €) dhe Gjermania (529,3 €).
Nga ana tjetër, vendet e BE-së me alokimet më të ulëta të buxhetit për kërkim dhe zhvillim për person ishin Rumania (21,2 € për person), Bullgaria (33,1 €) dhe Hungaria (48,1 €).
Midis 2013 dhe 2023, pothuajse të gjitha qeveritë e BE-së i rritën alokimet e tyre buxhetore për Kërkim-Zhvillim. Rritjet më të mëdha në përqindje u regjistruan në Letoni (+291% nga 16,0 € për person në 2013 në 62,6 € në 2023), Poloni (+147% nga 37,8 € në 93,3 €) dhe Bullgari (+133% nga 14,2 € në 33,1 € ). Hungaria ishte i vetmi vend i BE-së që regjistroi një rënie (-28% nga 66,9 € në 48,1 €).
Pjesa më e madhe e alokimeve të buxhetit të qeverisë për vitin 2023 për Kërkim dhe Zhvillim, përkatësisht 35.5% shkoi për avancimin e përgjithshëm të njohurive, kryesisht të financuara nga një grant publik bllok i njohur si fondet e përgjithshme të universiteteve (GUF), të cilat shumë institucione publike të arsimit të lartë i marrin për të mbështetur të gjitha aktivitetet e tyre. Për më tepër, 17.3% e GBARD iu dedikua avancimit të përgjithshëm të njohurive nga burime të tjera përveç GUF, i ndjekur nga 11.0% për prodhimin industrial dhe teknologjinë, 6.9% për shëndetin dhe 6.0% për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapësirës. /Liberale.al/