* Dikur konsiderohej Koreja e Veriut e Europës—Shqipëria aktualisht po dominon industrinë e turizmit mjekësor në rajon
Sektori i turizmit mjekësor në vendin tonë vlerësohet se fiton nga 200 deri në 250 milionë euro në vit. Kjo falë faktit që të paktën 50,000 italianë vizitojnë Tiranën për trajtim çdo vit.
Dikur Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës, një vend diktatorial komunist i mbyllur. Ndërsa aktualisht josh miliona turistë në vit, një shifër gjithnjë e më shumë në rritje që vijnë për shërbime dentare apo ndërhyrje kirirgjikale estetike.
“Nuk më pëlqen të flas për turizmin mjekësor. Është pak e frikshme”, tha Dritan Gremi, i cili drejton një klinikë dentare në kryeqytetin Tiranë.
“Preferoj të flas për turizmin e lumturisë, i cili i bën njerëzit të lumtur.”
Gremi tha se klinika e tij ofron "kujdes me cilësi të lartë me pajisje të garantuara dhe të certifikuara" sipas standardeve evropiane me çmime konkuruese.
Ai ka klientë italianë, francezë, belgë dhe zviceranë të joshur shpesh me paketa që përfshijnë kostot e udhëtimit apo edhe akomodimit.
Me skandalet për punën e dobët dhe klientët e shpërfytyruar prej turizmit mjekësor në vende të tjera, autoritetet shëndetësore shqiptare këmbëngulin dhe pretendojnë se afrojnë kujdes të cilësisë së lartë.
Stephane Pealat udhëtoi për në Shqipëri me shpresë për një buzëqeshje më të mirë, por edhe të përballueshme.
Ai dhe vëllai i tij, të cilët janë nga Valence në jug të Francës, kanë vuajtur prej kohësh nga probleme dentare, përfshirë humbjen e dhëmbëve që e shtynë atë të kërkonte një procedurë komplekse të implantit dentar.
“Në Francë ishte shumë, shumë shtrenjtë. Më pas filluam të kërkojmë në internet – Bullgari, Turqi, Shqipëri, Spanjë”, tha Pealat për AFP.
Ai mësoi për klinikën Gremi gjatë një sesioni konsultimi në Lion me dentistët shqiptarë.
Pas një vizite fillestare në gusht për të vizituar objektet në Tiranë, Pealati dhe vëllai i tij u kthyen në vjeshtë.
Sipas Pealat, operacioni i implantit dentar që ai zgjodhi kushtonte afërsisht 50,000 euro në Francë, krahasuar me vetëm 13,500 euro në Shqipëri.
Nuk ishte e vogël diferenca për Pealat.
“Është e rëndësishme të kesh një buzëqeshje të bukur,” tha ai pasi vendosi të kryente implantin dentar në vendin tonë.
Nathalie Gangloff, e cila punon si organizatore eventesh në një azil në Cognac në Francën perëndimore, zgjodhi gjithashtu një klinikë në Shqipëri për të trajtuar problemet e saj dentare.
“Mjeku im në Francë më tregoi për një dokumentar televiziv” për turizmin mjekësor në Shqipëri, tha Gangloff për AFP. Edhe ajo pagoi nën 15,000 euro për t'i bërë dhëmbët krahasuar me 42,000 euro që do të duhej të shpenzonte në Francë.
Pasi vendosi për të kryer implantin e dhëmbëve në shkurt, ajo u kthye në Tiranë në mes të shtatorit për të mbyllur procesin, e lumtur që i kishte rifituar buzëqeshja.
“Me punën time, është e rëndësishme të kem dhëmbë të bukur dhe një model flokësh të mirë”, tha ajo për AFP, duke shtuar se e ndryshoi menjëherë foton e profilit të saj në Facebook për të treguar të bardhët e saj të rinj.
Shpenzimet e ulëta dhe taksat kanë ndihmuar klinikat shqiptare të joshin klientët e huaj duke iu afruar çmime më të ulëta.
Megjithatë, procedurat nuk janë pa rrezik.
Kreu i Shoqatës Kombëtare të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Ibrahimaj tha se pacientët e huaj dhe vendas nuk duhet të mbështeten vetëm në reklamat online për procedurat estetike. Nevojitet kujdesi i duhur përpara se ata t'i nënshtrohen trajtimit.
“Një mjek nuk është një hotel me pesë yje apo pa yje”, u tha Ibrahimaj gazetarëve.
Për Anna Maria, italiane nga Milano, “buzëqeshja e shpirtit kalon edhe nga buzët”.
Psikologia rreth të 30-ave – e cila nuk donte të publikonte mbiemrin e saj – evizitoi Shqipërinë për fashetë dentare dhe një procedurë buzësh me shpresën për të përmirësuar buzëqeshjen e saj.
“Gjithnjë e më shumë turistë të huaj po marrin edhe trajtime kozmetike për një buzëqeshje më të mirë”, tha Monika Fida, dermatologe dhe pedagoge universiteti në Tiranë.
Injeksionet e acidit hialuronik në buzë janë më të zakonshmet.
“Mbi të gjitha, klientët duan të ndihen mirë dhe të kenë buzë të formësuara sa më natyrshëm”, shtoi Fida, e cila tha se 750 deri në 1000 pacientë të huaj vizitojnë klinikën e saj çdo vit.
Vera Panaitov, një kuzhiniere italiane 60-vjeçare nga Verona, erdhi fillimisht për të bërë dhëmbët.
Por një herë tjetër në Tiranë, ajo thotë se kishte zgjedhur qendrat estetike për të bërë gjoksin dhe belin.
“Duhet të jesh e bukur në çdo moshë dhe të përjetosh dashuri e lumturi në çdo moment”, tha ajo për AFP, e buzëqeshur nga shtrati ku po kryente një operacion estetik në një spital të Tiranës, duke thënë se ndihej “e lumtur dhe e rinovuar”.
Christine Cincunegui, një biznesmene franceze, së shpejti mund ta ndjekë atë.
Nga Parisi, ajo duket se do të ndjekë një procedurë dentare në Shqipëri pasi u konsultua me praktikuesit që vizituan kryeqytetin francez.
* Reportazh i marrë nga AFP (Publikuar nga revista Fortune)
Përgatiti a.m për Liberale.al