Aranit Muraçi
Media ‘online’ dhe e pakontrolluar e bën të vështirë në mos të pamundur për të llogaritur numrin e saktë të gazetarëve, që punojnë aktualisht në Shqipëri. Ndoshta është kjo arsyeja që INSTAT ka vite që nuk raporton të dhëna për tregun mediatik. Tregu i mediave “online”, pjesa më e madhe në informalitet, e bën akoma edhe më të pakontrolluar saktësinë e lajmit, autorësinë si dhe cilësinë e punës dhe vetë misionin e gazetarit. Në situatën aktuale në Shqipëri, puna e një gazetari profesionist është e ngatërruar, sa e pambrojtur, aq edhe e pavlerësuar.
Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në aktivitetin “Publikime dhe prodhime programesh” kishte gjithsej 1,818 të punësuar në vitin 2018, ose 0.3% e totalit të punësimit në privat, duke qenë ndër vendet me më pak gazetarë në raport me vendet e BE-së. Sipas llogaritjeve jo zyrtare numri sot besohet të jetë dyfishuar, ose edhe trefishuar.
Numri i të punësuarve në aktivitetin e “Publikime dhe Prodhime programesh” para pandemisë u dyfishua në një dekadë në krahasim me 2010-n, sipas INSTAT, por ra në krahasim me 2017-n. Sipas INSTAT, paga mesatare në 2018-n e aktivitetit të publikimeve dhe prodhimit të programeve ishte 42 mijë lekë, që ishte rreth 20% më e ulët se paga mesatare në ekonomi. Zhvillimi kaotik i mediave online në dekadën e fundit, veçanërisht në pesë vitet e fundit ku mungojnë të dhënat zyrtare për numrin e gazetareve, numrin e mediave dhe pagat, sipas vlerësimeve dhe konstatimeve paraprake e ka bërë edhe më pak të paguar punën e gazetarit. E gjitha kjo në kurriz të punës dhe gazetarit profesionist. Është më tepër detyrë e gazetarëve si pushtet i pavarur që para se të denoncojnë problemet që konstatojnë në fusha të tjera, të bashkohen, të ngrenë zërin dhe të flasin për të drejtat e tyre.
Gazetarët në BE
Në vitin 2022, 891.600 persona në BE ishin të punësuar si autorë, gazetarë apo gjuhëtarë. Kjo shifër përbën një rritje prej 9.1% nga 816.800 të regjistruara në vitin 2017. Në vitin 2022, vendet me përqindjen më të madhe të profesionistëve të mediave në vendet anëtare të BE-së, të punësuar në këto fusha ishin Gjermania (25.6%), Franca (12.0%) dhe Spanja (9.1%). Malta, Qiproja, Letonia, Estonia dhe Luksemburgu kishin më pak se 0.5% të pjesës totale të BE-së secila.
Top 5 vendet e BE-së për nga numri i personave të punësuar si autorë, gazetarë dhe gjuhëtarë në vitin 2022, 1000 persona
Që nga viti 2017, rritja më e lartë e numrit të personave të punësuar si autorë, gazetarë apo gjuhëtarë u regjistrua në Lituani (+166,0%), Finlandë (+31,5%) dhe Hungari (+30,8%). Rënia më e madhe u vërejt në Letoni (-35.6%), Estoni (34.3%) dhe Greqi (-22.5%).
Në vitin 2022 kishte 80 000 ndërmarrje në industrinë e botimit të librave dhe mediave periodike apo që kryenin veprimtari të tjera botuese.
Numri më i lartë i ndërmarrjeve të tilla ishte në Francë (23.469), Spanjë (5.981) dhe Gjermani (5.533). Shifrat më të ulëta ishin dhe në vendet me popullsi më të vogël si në Luksemburg (79), Qipro (93) dhe Maltë (105).
Rritjet më të mëdha midis 2021 dhe 2022 ishin në Francë (38.9%), Maltë (14.1%) dhe Letoni (4.8%). Uljet më të mëdha ishin në Luksemburg (-16,0%), Danimarkë (-9,0%) dhe Poloni (-7,8%).
Top 5 vendet e BE-së sipas numrit të ndërmarrjeve në sektorin e botimeve, numrat total, 2022
Liria e mediave
Organizata “Reporterët Pa Kufij” në Indeksin e fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit, vëren se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj. Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.
Në raportin e vitit 2024 vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Kosova radhitet e 75-ta. Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta. Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor.
Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi. Rusia (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1,500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
Tre vende nordike - Norvegjia, Suedia dhe Danimarka - janë vendet e para të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit 2024. Ato ndiqen nga Holanda, në vendin e katërt dhe Finlanda në të pestën.