Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Projeksioni i 15 ekonomive më të mëdha në botë, Kina parakalon SHBA-në në vitin 2035

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Projeksioni i 15 ekonomive më të mëdha

Sipas një studimi të “Goldman Sachs Research” ekonomitë në zhvillim, dhe veçanërisht fuqitë ekonomike në Azi  parashikohet të arrijnë dhe të kalojnë vendet më të pasura të Perëndimit gjatë dekadave të ardhshme të këtij shekulli

“Goldman Sachs Research” bëri parashikimet e para afatgjata për ekonomitë e Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës (BRIC) pothuajse 20 vjet më parë dhe i zgjeroi ato vlerësime në 2011 për të përfshirë më shumë vende. Versioni i fundit i ekonomistëve të saj mbulon 104 vende dhe parashikimet shtrihen deri në vitin 2075.

Rritja potenciale në mbarë botën (norma që një ekonomi mund të mbajë pa prodhuar shumë inflacion) parashikohet të jetë mesatarisht 2.8% në vit midis 2024 dhe 2029 dhe të bjerë gradualisht më pas, sipas Goldman Sachs Research. Kjo krahasohet me një mesatare prej 3.6% në dekadën para krizës globale financiare dhe 3.2% në 10 vitet para pandemisë Covid (e matur në bazë të ponderimit të tregut).

SHIFRA E DITËS: Projeksioni i 15 ekonomive më të mëdha

Zgjerimi ekonomik pritet të zbehet pasi shkalla e rritjes së popullsisë në botë është përgjysmuar gjatë 50 viteve të fundit dhe tani është në më pak se 1%. Rritja e popullsisë do të ngecë deri në vitin 2075, sipas parashikimeve të OKB-së. Dobësimi i produktivitetit, i lidhur me një ngadalësim të globalizimit, është gjithashtu pjesë e arsyes që ekonomistët e Goldman Sachs Research presin që rritja e PBB-së të zbehet.

"Kontrolli global i popullsisë është një kusht i domosdoshëm për qëndrueshmërinë mjedisore afatgjatë," shkruajnë në një raport ekonomistët e Goldman Sachs, Kevin Daly dhe Tadas Gedminas.  Por një popullsi që po plaket dhe po rritet më ngadalë do të duhet të përballet me rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor dhe të daljes në pension. Numri i vendeve që përballen me sfida serioze ekonomike nga një popullsi gri ka të ngjarë të rritet në mënyrë të qëndrueshme në dekadat e ardhshme.

SHIFRA E DITËS: Projeksioni i 15 ekonomive më të mëdha

Ekonomitë në zhvillim të mbarë botës, (ku bën pjesë edhe Shqipëria por me nje ekonomi të papërfillshme), të dominuara nga fuqitë ekonomike në Azi, po rriten më shpejt se ato të zhvilluara, edhe pse zgjerimi i PBB-së globale reale (i përshtatur me inflacionin) po ngadalësohet. Sigurisht rritja vihet re te vendet me popullsi të madhe. Pjesa e tyre në ekonominë botërore do të vazhdojë të rritet dhe të ardhurat e tyre pritet të konvergojnë ngadalë drejt vendeve më të pasura. Kina parashikohet të kapërcejë SHBA-në si ekonomia më e madhe në botë rreth vitit 2035, ndërsa India pritet të ketë vendin e dytë më të madh në botë deri në vitin 2075, sipas Goldman Sachs Research.

Kina, India dhe Indonezia dolën pak mbi parashikimet e ekonomistëve të së njëjtit institucion kërkimor, që nga viti 2011, ndërsa Rusia, Brazili dhe Amerika Latine i kaluan ndjeshëm këto parashikime. “Presim që pesha e PBB-së globale të zhvendoset (madje) më shumë drejt Azisë gjatë 30 viteve të ardhshme," shkruajnë ekonomistët në raportin e tyre të fundit. Në vitin 2050, pesë ekonomitë më të mëdha në botë (të matura në dollarë amerikanë) parashikohen të jenë Kina, SHBA, India, Indonezia dhe Gjermania. Në vitin 2075, perspektiva e rritjes së shpejtë të popullsisë në Nigeri, Pakistan dhe Egjipt nënkupton që - me politikat dhe institucionet e duhura - këto ekonomi mund të bëhen disa nga më të mëdhatë në botë.

Ekonomia amerikane ishte e jashtëzakonshme gjatë dekadës së fundit. Ajo i tejkaloi pak parashikimet e ekonomistëve të studimit në fjalë mbi rritjen reale të PBB-së, duke e bërë atë unik midis ekonomive të mëdha dhe të zhvilluara. Dollari gjithashtu u vlerësua ndjeshëm gjatë asaj periudhe, duke ndihmuar që vlera relative e ekonomisë amerikane të tejkalojë pritshmëritë. Ekspertët thonë se kjo arritje nuk ka gjasa të përsëritet, pjesërisht, sepse monedha e gjelbër është vlerësuar aq shumë sa është dukshëm mbi vlerën që bazohet në barazinë e fuqisë blerëse (PPP). Për më tepër, ata argumentojnë se "rritja potenciale e SHBA mbetet dukshëm më e ulët se ajo e ekonomive të mëdha të vendeve të tjera, përfshirë Kinën dhe (veçanërisht) Indinë".

Ekonomistët e GRS mendojnë se proteksionizmi dhe ndryshimet klimatike janë dy nga rreziqet më të mëdha për parashikimet e tyre. Nacionalistët populistë janë në pushtet në disa vende, dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit gjatë Covid kanë pasur një fokus më të madh në elasticitetin dhe mbështetjen, sipas Goldman Sachs Research. Kjo ka rezultuar në një ngadalësim dhe jo në një përmbysje të globalizimit, por rreziqet për globalizimin, i cili reduktoi pabarazinë e të ardhurave në të gjithë vendet, ekzistojnë. Që të vazhdojë, do të duhet të ketë më shumë fokus në ndarjen e përfitimeve të globalizimit dhe rritjen e të ardhurave brenda çdo kombi.

Kur bëhet fjalë për ndryshimin e klimës, shumë vende ishin në gjendje të shkëputin emetimet e karbonit dhe rritjen ekonomike, gjë që tregon se duhet të jetë e arritshme për ekonominë globale në tërësi. Por kjo nuk do të thotë se do të jetë e lehtë. "Arritja e rritjes së qëndrueshme kërkon sakrifica ekonomike dhe një përgjigje të koordinuar globalisht, të cilat do të jenë politikisht të vështira për t'u arritur,” shkruajnë ekonomistët e Goldman Sachs Research.

SHIFRA E DITËS: Projeksioni i 15 ekonomive më të mëdha

15 ekonomitë më të mëdha në botë në 2075, të parashikuara nga Goldman Sachs:

Kina: 57 trilion dollarë

India: 52.5 trilion dollarë

Shtetet e Bashkuara: 51.5 trilion dollarë

Indonezia: 13.7 trilion dollarë

Nigeria: 13.1 trilion dollarë

Pakistani: 12.3 trilion dollarë

Egjipti: 10.4 trilion dollarë

Brazili: 8.7 trilion dollarë

Gjermania: 8.1 trilion dollarë

 Meksikë: 7.6 trilion dollarë

Mbretëria e Bashkuar: 7.6 trilion dollarë

 Japonia: 7.5 trilion dollarë

Rusia: 6.9 trilion dollarë

Filipinet: 6.6 trilion dollarë

Franca: 6.5 trilion dollarë.

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH