Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Një Lek i fortë, 260 milionë ‘vlera e humbur’ nga depozitat në Euro

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: Një Lek i fortë, 260 milionë ‘vlera e

Kursimet e individëve, familjeve e bizneseve në monedhën vendase shënuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit nëntor.

Euro blihet sot me 103.5  dhe shitet me 104.6 lekë, duke njohur një rritje krahasuar me ditët e tjera të muajit dhjetor. Megjithatë, zhvlerësimi i monedhës europiane ka pasur një impakt negativ në ekonominë tonë, duke shkaktuar dëme më të mëdha për prodhuesit (kryesisht eksportuesit), ose ata të cilët i kanë depozitat në Euro. Zhvlerësimi ka dëmtuar rëndë edhe të gjithë ata të cilët paguhen në monedhën e huaj europiane, apo sigurojnë të ardhura në Euro por blejnë ose konsumojnë mallra dhe shërbime në lekë.      

Për shumë vite euro qëndroi në kuotën e 140 lekëve dhe rënia e saj për një periudhë të shkurtër kohore është shoqëruar me pasoja të rënda në segmente të sakatuara të ekonomisë dhe shoqërisë sonë.  

Forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht, duke ulur koston e kredisë në euro. Nga rënia e Euros kanë fituar edhe ata individë që kreditë i kanë në euro.  Si dhe ka ndihmuar më së shumti qeverinë për shlyerjen e borxhit të jashtëm në tregjet e huaja apo edhe tregtarët ose grosistët të cilët blejnë produkte dhe shërbime në euro, por i shesin ato në lekë.   

Në të kundërt, rritja e depozitave në valutë që kishte orientuar tendencën e kursimeve kohët e fundit është ndalur. Të konvertuara në lekë, depozitat në valutë ishin 707 miliardë lekë në muajin nëntor 2023, me një rënie prej 27 miliardë lekësh, ose rreth 260 milionë euro më pak, e përkthyer ndryshe “humbja” për shkak të zhvlerësimit të monedhave të huaja, kryesisht euros.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit nëntor, stoku i depozitave në lekë arriti në 564 miliardë lekë, me një rritje prej 3.1%, ose 17 miliardë lekë më shumë sesa muaji tetor, çka përbën edhe rritjen më të madhe që nga dhjetori i vitit 2021. Në ecurinë pozitive të kursimeve në lekë ndikimin kryesor e ka dhënë si kompanitë publike, ato private, ashtu edhe individët.

Që kur nisi zhvlerësimi i monedhave të huaja, kryesisht e Euros,  nëse i referohemi depozitave në bazë vjetore (nëntor 2023/nëntor 2022), depozitat në lekë janë rritur me 4.2%.

Por ndryshe nga kursimet në lekë, po ndodh e kundërta me depozitat në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, kursimet në euro ishin 7.28 miliardë lekë në nëntor, me një rritje minimale prej 22 milionë eurosh, më e ulëta që nga nëntori 2022. Tendenca është ndikuar nga rënia e kursimeve të individëve me afat 1 vit. Edhe pse është zhvlerësuar ndjeshëm në bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur ndjeshëm me 17%, ose rreth 1 miliard euro që janë shtuar në banka si formë kursimesh në monedhën e përbashkët.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH