Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Miliarda euro për “rilindjen” e Portit të Durrësit dhe hekurudhave lidhëse me Prishtinën e Strugën

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Miliarda euro për “rilindjen” e Portit

Aranit Muraçi

Në tremujorin e parë të 2024, Autoriteti Portual i Durrësit do të hapë tender për ndërtimin e portit të ri. Ndërkohë që ky është pjesë e një mega-projekti infrastrukturor që do të ngrihet në vendin tonë, përfshirë ndërtimin e dy hekurudhave të para internacionale, Durrës-Prishtinë dhe Durrës-Strugë.   

Fazës së parë të projektit të Portit i është dhënë leja e ndërtimit pas përfundimit të suksesshëm të projektimit të detajuar të objektit të ri, thanë autoritetet portuale. Dizajni i detajuar u krye nga një konsorcium që përfshin firmën inxhinierike holandeze Royal HaskoningDHV dhe firmën shqiptare të konsulencës Abkons, tha qeveria shqiptar, lidhur me projektin.

Porti i ri do të ndërtohet në zonën e Porto Romanos në pjesën veriperëndimore të Durrësit. Porti ekzistues në zonën jugore të qytetit do të ketë  edhe një projekt të ri rezidencial dhe detar prej 2 miliardë eurosh nga zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Emaar, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Porti i Durrësit ka nisur gjithashtu konsultimet me NATO-n për ndërtimin e një baze detare në zonën e Porto Romanos, një projekt që mund të bashkë-financohet nga Shqipëria dhe NATO. Porti i ri në Porto Romano, me autostradat, portet e thata dhe hekurudhat e reja që do të ndërtohen, sipas projektit, do të lidhet me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, dhe me Strugën e Maqedonisë së Veriut. Porti i thatë është një objekt i vendosur në pjesët e brendshme të një vendi, i pajisur për trajtimin, ruajtjen dhe përpunimin e ngarkesave për import dhe eksport.

Hekurudha Durrës-Prishtinë pritet të nisë së shpejti dhe është llogaritur në 700 milionë euro. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se në rrafshin e projekteve infrastrukturore, plani për hekurudhën pësoi disa ndryshime. Ndërkohë që ishte projektuar të kalonte paralelisht me Rrugën e Kombit, me dakordësinë dhe të palës tjetër, Rama tha se do ketë një ndryshim të vijës, që do kalojë nga Shkodra, Gjakova dhe në fund në Prishtinë. Kostoja e përafërt e hekurudhës Durrës-Prishtinë është llogaritur në 700 milionë euro.

Ka nisur ndërkohë zgjerimi i Korridorit VIII që do të lidhë Durrësin me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë. Punimet po zhvillohen aktualisht me intensitet të lartë në aksin Labinot-Librazhd. Paralelisht do të ndërtohet dhe do të vihet në funksion hekurudha Durrës-Pogradec, e cila do të lidhë Shqipërinë me vendin fqinj, si pjesë e projektit të Bashkimit Europian.  

Qeveria shqiptare ka akorduar 43 miliardë lekë (412 milionë euro) në buxhetin e vitit 2024 për ndërtimin e portit të ri të Durrësit.  reth 26 miliardë lekë janë planifikuar për të financuar kostot e ndërtimit në vitin 2025 dhe 2026, kur projekti do të përfundojë.

Sakaq, është drejt përfundimit hekurudha 34 km midis Durrësit dhe Tiranës. Pasi të jetë rindërtuar hekurudha dhe trenat e rinj të kenë mbërritur, udhëtimi midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë do të zgjasë vetëm 20 minuta. Paralelisht, pritet të nisë së shpejti ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë.  Komisioni Evropian njoftoi se do t'i japë Shqipërisë një grant prej 62 milionë eurosh për të ndërtuar seksionin hekurudhor që lidh qytetin e Durrësit në bregdetin e Adriatikut me Rrogozhinën. Vlera totale e investimit për seksionin hekurudhor, pjesë e Korridorit VIII Pan-Evropian që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, pritet të arrijë në 120.5 milionë euro, tha ministrja Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale. Ndërkohë mbetet e paqartë pjesë tjetër e financimit të hekurudhës. Sjellin në vëmendje se në vitin 2020, Bashkimi Evropian dha një grant prej 2.42 milionë euro për asistencë teknike gjatë fazës së studimeve dhe projektimit të projektit, çka tregon rëndësinë që i ka kushtuar BE projektit të infrastrukturës moderne që do të lidhë Shqipërinë me vendet fqinje.

Projekti për seksionin hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e një projekti më të madh të financuar nga BE për të ndërtuar linjën hekurudhore të Korridorit VIII Durrës - Pogradec - Lin - kufiri me Maqedoninë e Veriut. Vlera totale e kësaj linje hekurudhore shkon në 291 milionë euro, e bashkëfinancuar veç Bashkimit Europian, edhe nga qeveria shqiptare me një kontribut prej 25 milionë eurosh dhe një financim prej 125 milionë eurosh nga burime të tjera të paspecifikuara.

Korridori VIII është një rrugë që shtrihet rreth 1500 kilometra nga porti i Durrësit në perëndim deri në portet bullgare të Varnës dhe Burgasit në lindje.

Kujtojmë se nuk ka pasur asnjë investim në sektorin hekurudhor për më shumë se 30 vjet, në Shqipëri, çka ka bërë që hekurudhat tona të dalin thuajse të gjitha jashtë përdorimit. Për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave, shumica e qytetarëve shqiptarë mbështeten te makinat dhe autobusët, ndryshe nga qytetarët e tjerë të Europës të cilët nuk e kanë refuzuar metodën më komode dhe me kosto më të ulët të udhëtimit ose edhe të transportit.

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH