Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Mbi 100 mijë ‘viktima’, çfarë fshihet pas skandalit me piramidat e mikro-kredive

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Mbi 100 mijë ‘viktima’, çfarë

Skema është zbardhur nga SPAK dhe disa nga abuzuesit janë në akuzë për veprën penale "Skema mashtruese dhe piramidale". Në total viktimat e skemës piramidale; 110 mijë qytetarë

Thuhet se është e pashmangshme dhe mund të bëhen gjithmonë gabime, qoftë edhe të rënda. Por nxirren edhe mësime, ose në të kundërt, mund të ndodhë që gabimi të përsëritet e të trashet. Koha e piramidave mund të duket e largët, kur shqiptarët për shkak të humbjes së kursimeve, përfunduan në kaos dhe luftë civile. Por cili ishte mësimi që nxorëm? Mos ndoshta ata që i ideuan, i lejuan dhe dhanë “leksione” se me zhvillimin e tyre do të zhvillohej ekonomia, duke nxitur qytetarët që të binin viktima, ende vazhdojnë të japin leksione, ku edhe kanë nxitur apo gjetur forma të tjera piramidale, duke dëmtuar rëndë xhepat e qytetarëve?   

Kush ka pasur për detyrë t’i informonte dhe t’i mbronte mbi 100 mijë qytetarë, të cilët ranë pre e skemave mashtruese me mikrokreditë?

Viktimë të mashtrimit kanë rënë përgjithësisht njerëz të varfër, në hall, të cilët skemat e fundit piramidale i zhytën në një kurth ku pretendonin t’iu merrnin gjithçka kishin dhe t’i nxirrnin në rrugë të madhe.

Kreditë e konsumatorëve kur nuk shlyhen, për arsye nga më të ndryshmet, bankat e niveli të dytë i klasifikojnë në një portofol dhe i konsiderojnë “kredi të këqija”. Këto kredi ato iu shesin palëve të treta. Këto të fundit përmes lojës së interesave me “kamxhikun” që nuk dihet se kush iu ka lënë në dorë, në vendin tonë u marrin pronat e ç’të munden qytetarëve që kanë marrë borxh ose të afërmve të tyre, pa asnjë kriter dhe larg çdo qasje normale me praktikat e vendeve të tjera.    

Pas skandalit, ka ndërhyrë më në fund prokuroria. Jo më larg se një javë më parë organi i akuzës njoftoi për arrestimin e  5 personave, ndërkohë që 4 të tjerë i la me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në lidhje me skemën e mashtrimit të kredi-dhënies nga subjektet Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS dhe FLASH.

Organi i akuzës bën me dije se nga hetimet e kryera ato përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe pas “kurthit” u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Banka e Shqipërisë revokoi licensat për dy shoqëritë “Final” sh.p.k. dhe “Micro Credit Albania” sh.p.k, licensa të cilat ishin të pezulluara që më 6 shkurt 2024. Nga aktet e sekuestruara rezulton se shoqëritë e sipër përmendura morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera. Më shumë se 14 mijë qytetarë që kanë kredi të papaguara pranë Micro Credit Albania, sipas Bankës së Shqipërisë, janë në proces përmbarimor.  I thirrur për të dhënë shpjegime për hetimin e kompanisë së mikro-kreditit, guvernatori Gent Sejko shpjegoi se kjo kompani ka blerë 9.6 miliardë lekë kredi të këqija pranë sektorit bankar ndër vite, dhe për shkak të shkeljeve, i është pezulluar licenca.

Banka e Shqipërisë sqaron se kjo kompani ka bërë shkelje në kontratat e kredisë me klientët duke u vënë gjoba më të larta se 30% e vlerës së papaguar që është edhe tavani maksimal. Por pse banka nuk ia ka hequr më parë licencën, por ia ka pezulluar dy herë?

Pavarësisht ndërhyrjes dhe vonesës, duhet sqaruar se as revokimi total nuk i çliron kredi-marrësit nga shlyerja e detyrimeve, pasi borxhi do të mbetet. Gjithsesi, rreth 50 familje deri më tani i kanë humbur shtëpitë e tyre për shkak të tjetërsimit të proceseve përmbarimore dhe mijëra të tjera rrezikojnë. Të tjerë kanë humbur prona, duke iu rrëmbyer shuma ta pajustifikuara, përmes presioneve dhe gjobave. E ndërsa guvernatori thotë se nuk është kompetencë e tyre monitorimi i përmbaruesve, pyetja që shtrohet është: kush duhet t’i mbrojë qytetarët, më të pambrojturit?

BSH pranon se vetëm një kompani tjetër ka 16.600 klientë dhe 90% të tyre kanë përfunduar në përmbarim. Për të ndaluar abuzimet dhe për të mbrojtur konsumatorët Sejko tha se duhet që rregulloret e bankës së Shqipërisë që kufizojnë normat efektive të interesit për kreditë konsumatore për mikro-financën si dhe kufizimi deri në 30% i masës maksimale të penaliteteve ndaj klientëve duhet të kthehen në ligj. Po ashtu Banka e Shqipërisë propozon që të bëhet një ligj për mbrojtjen e konsumatorit si dhe të shikohet ligji i përmbaruesve gjyqësor. Por nuk ka asnjë përgjegjës për dëmin monetar, por jo vetëm, që u është shkaktuar mijëra qytetarëve. Njësoj si me piramidat e '97! Ndërkaq, të pambrojturit thonë se dëmi social, stresi, ankthi dhe probleme të tjera janë humbje për të cilat askush nuk përgjigjet. Njësoj sikur të veprohej përmes ligjeve të “xhunglës”.     

E ndërsa shumë i humbën dhe mijëra qytetarë presin nëpër gjyqe të mos humbin pronat, duhet përgëzuar ndërhyrja e organit të akuzës, e SPAK, që në mos për të zhdukur, ka frenuar një ndër marrëzitë për  mos-nxjerrjen e mësimit prej piramidave.   

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH