Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Kush janë 5 ministrat, që zotërojnë gati 80% të vlerës totale të parave të buxhetit

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Kush janë 5 ministrat, që zotërojnë

Ku shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë?

Duhet të investohet më shumë në arsim, në turizëm, në bujqësi?  Apo më mirë në infrastrukturë? Një debat i tilla zhvillohet kryesisht mes partive politike që duan të vijnë në pushtet. Më pas ato zbatojnë programin qeverisës, duke supozuar se përmbushin premtimet elektorale.  Nëse përfundojnë apo jo paratë në destinacionin e duhur, apo efektet që japin investimit zhvillimit të vendit, kjo është temë tjetër diskutimi.  

Shëndetësia, infrastruktura dhe më pas arsimi janë sektorët që tërheqin më shumë para nga buxheti i shtetit.  

Nga 414.6 miliard lekë shpenzime plan për totalin e institucioneve buxhetore, 86.7% e këtyre shpenzimeve shkojnë për Ministritë, ose rreth 359.6 miliard lekë. Buxheti total Ministror përbën 48.3% të Shpenzimeve Buxhetore totale për vitin 2024.

Në total Gratë në Kabinetin Qeveritar shpenzojnë 57.1% të buxheteve ministrore (154 miliard Portofole drejtuar nga burrat dhe 205 miliard ministri drejtuar nga grupi gjinor femra).

Pesë Ministrat me Portofol më të lartë, zotërojnë gati 80% të vlerës totale të Portofoleve. Pesha në vlerë parash e këtyre Ministrave është 287.1 miliard lekë nga totali prej 359.6 miliard lekësh. 

Interesant është fakti se nga pesë ministrat që zotërojnë portiofolin më të lartë, listën e kryesojnë tri gra të kabinetit qeveritar.

Vendi i Parë sipas madhësisë së Portofolit i është dhënë Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila mban Portofolin më të madh ministror prej 78.2 miliardë lekë (rreth 750 milionë euro).  Koçiu drejton 21.75% të buxhetit për Ministritë. Për nga struktura e Ministrisë është parashikuar që Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale të përfshihen në një Portofol Ministror.

SHIFRA E DITËS: Kush janë 5 ministrat, që zotërojnë

Belinda Balluku pason me 15.9% të totalit të Buxhetit Ministror. Si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku për vitin 2024 menaxhon portofol prej  57.1 miliardë lekë (rreth 550 milionë euro).

Edhe në vendin e tretë për madhësinë e portofolit ministror qëndron një ministre grua Ogerta Manastirliu – Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me 52.2 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro), sa 14.5% e totalit të shpenzimeve planifikuar për Ministritë.

Blendi Gonxhja – anëtari më i ri Këshillit të Ministrave, drejton Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me një Portofol Buxhetor rreth 51.1 miliardë lekë. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 30 datë 17/01/2024.

Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes, renditur në 5-shen me Portofol Ministror më të lartë, kontrollon 13.4% të totalit të Portofoleve Ministrore, apo 48.3 miliardë lekë.

Në vend të gjashtë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla rezulton me një Portofol gati 26 miliardë lekë, ndjekur nga Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë dhe Anila Denaj – Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me një Portofol përkatësisht 14.7 dhe 14.2 miliard lekë.

Ervin Mete – Ministër i Financave (ish Ministër i Financave dhe Ekonomisë), deri në janar 2024 ishte Ministri i dytë me Portofolin më të lartë. Pas ndarjes së Ministrisë së Financave me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 31 datë 17.01.2024, nga ajo e Ekonomisë, zoti Mete pozicionohet në vend të 9-të me vlerë Portofoli, vetëm 10.9 miliardë lekë.

Me peshë më të ulët në Portofolet Ministrore pozicionohen Mirela Kumbaro – Ministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe Igli Hasani – Ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme, me Portofol përkatësisht 3.5 dhe 3.2 miliardë lekë.

SHIFRA E DITËS: Kush janë 5 ministrat, që zotërojnë

Në një renditje sipas vlerës së Portofolit të Investimeve apo shpenzimeve Kapitale, kryeson Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku me Portofol Investimesh 51.3 miliardë lekë apo 89.8% e Portofolit total të Ministrisë.

Ministritë e tjera të linjës kanë Portofol Investimesh më të ulët se 10 miliardë lekë si më poshtë:  

Anila Denaj me Portofol Investimesh 5.8 miliard lekë,

Ogerta Manastirliu me 5.7 miliard lekë,

Blendi Gonxhja me 4.7 miliard lekë,

Albana Koçiu me 3.2 miliardë lekë, etj.

Kabineti i ri Qeveritar aktual konfirmon 11 ministra me portofol dhe 6 pa portofol. Ministrat e Shtetit pa portofol janë Ministri për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, Ministri për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, Ministër Shteti dhe Kryenegociator Majlinda Lluka, Ministri për Pushtetin Vendor Arbi Mazniku dhe Ministri për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi. 

Të dhënat janë marrë nga Buxheti i Shtetit sipas tabelave shoqëruese pas Aktit Normativ Nr. 1 datë 21.02.2024 dhe janë përpiluar nga Open Data Albania.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH