Paradoksalisht, shkurtim buxheti vetëm për ministrinë e Drejtësisë, dhe kjo ndodh pas reformimit të sistemit të drejtësisë si ndoshta ministria me institucionet më të pranueshme nga ana e ndërkombëtarëve
Ku shkojnë dhe ku duhet të shkojnë paratë. Është një debat i vazhdueshëm, në çdo vend dhe nga çdo qeveri jo vetëm kur hartohet buxheti.
A është menduar për pensionistët mjaftueshëm nga plani i ri i buxhetit? Por për zhvillimin e sektorëve që kërkojnë investime për tu zhvilluar, si bujqësia, a janë të mjaftueshme fondet?
A është i financuar mjaftueshëm arsimi, si një promotor zhvillimi për fushat e tjera?
Më mirë 1 lek më tepër investim sot në sport dhe në edukim, për një shëndet më të mirë nesër, apo 3 lekë nesër në shëndetësi për të kuruar sëmundjet?
Si është e mundur që ministria e Drejtësisë është ministria e vetme me shkurtim të buxhetit, në një kohë kur institucionet e saj të drejtësisë kërkojnë më shumë staf dhe fonde për të thelluar punën hetimore ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nëse këto çështje mbeten kudo të debatueshme, mbetet shqetësuese në vendin tonë nëse paratë e taksapaguesve shkojnë apo jo në destinacion?
Raportet e KLSH-së zbulojnë se dëmi ekonomik i keqpërdorimit të fondeve nga institucionet publike shkon në rreth 1 miliard Euro, ose gati çereku i buxhetit.
Për vitin 2025, qeveria ka parashikuar të mbledhë 755 miliardë lekë (7.5 miliardë Euro) dhe të shpenzojë 820 miliardë lekë (8.2 miliardë Euro), në përmbushje të programit buxhetor. Për 11 ministri, nga arka e shtetit janë planifikuar të shpërndahen rreth 4 miliardë Euro.
Pjesa më e madhe e parave, 800 milionë Euro do të shkojnë për shëndetësinë, në shërbimet e shëndetit publik, si dhe për kujdesin social dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ketë në dispozicion rreth 740 milionë Euro, pjesa më e madhe e të cilave do të shkojnë për transportin, furnizimin me ujë dhe rrjetin energjitik.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë gjithashtu do të ketë në dispozicion një fond prej 620 miliardë Eueo, gjysma e të cilit do të investohet për arsimin bazë.
Ndryshimet në strukturën e ministrive i japin Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit 560 milion Euro për vitin e ardhshëm, nga të cilat 400 milionë Euro janë sigurime shoqërore, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet për tregun e punës, artin, kulturën dhe strehimin.
Ministria e Mbrojtjes do të marrë 520 milionë Euro. Këto para do të shkojnë kryesisht për forcat e armatosura dhe emergjencat civile.
Ministria e Brendshme do të ketë 310 milionë Euro, me 90% e këtij fondi do të dedikohet për Policinë e Shtetit.
Bujqësia, e cila siguron rreth 20% të Produktit të Brendshëm Bruto, dhe numrin më të lartë të të punësuarve do të marrë 146 milionë Euro. Edhe vitin e ardhshëm, praktika për menaxhimin e këtij fondi do të vazhdojë me mbështetje për fermerët në masën 72 milionë Euro.
Në buxhetin e vitit 2025, të gjitha ministritë marrin rritje të fondeve, me përjashtim të Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të menaxhojë 143 milionë Euro, ose 3% më pak se viti që po mbyllet.
Kjo do të thotë se mbështetja financiare për institucionet e reja të drejtësisë është planifikuar të jetë më e ulët, ironikisht kur duhet të kishte ndodhur e kundërta. Për ndërkombëtarët dhe opinionin e gjerë publik institucionet e reja të drejtësisë kanë dhënë rezultate dhe natyrshëm kërkojnë minimalisht të inkurajohen për punën e tyre.