Aranit Muraçi
Legjislacioni në Shqipëri nuk e njeh biznesin e mesëm çka do të thotë se biznesi i vogël mund të bëhet i madh ose e kundërta, biznesi i madh mund të bëhet i vogël qoftë edhe sipas dëshirës së vetë biznesit, përmes ndonjë manovre me zyrtarët tatimorë. Ndarja përgjithësisht vjen ose nga numri i të punësuarve ose nga të ardhurat dhe në vendet e tjera janë ndërmarrjet e mesme, që ndihmojnë në ndarjen mes tyre. Edhe në vendin tonë ka ardhur koha të bëhet një ndarje e tillë. Kjo ndarje vlen edhe për shtresat e shoqërisë, në të pasura, të mesme dhe të varfra. Në Shqipëri, aktualisht kemi të pasur dhe të varfër, ashtu si bizneset e vogla e të mëdha, ndërsa thuajse nuk ekziston shtresa e mesme.
Sipërmarrja, në vendin tonë
Sipas të dhënave të bërë publike nga Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve, rezulton se numri i tatimpaguesve aktive, që kanë një përgjegjësi tatimore në Regjistrin Kombëtar në fund të vitit 2023, regjistrohet në 127,698 gjithsej nga 123,340 tatimpagues që ishin në fund të vitit 2022. Sipas kategorizimit te tatimpaguesve, bazuar nivelit te qarkullimit te realizuar dhe vetë-deklaruar, në fund të vitit rezultojnë: 93,709 tatimpagues te regjistruar në biznes të vogël, 31,222 tatimpagues në biznes të madh nga të cilët 2,767 konsiderohen “Biznese Vip”.
Të dhënat e tatimeve tregtojnë se gjatë vitit 2023 u regjistruan si tatimpagues të rinj për herë të parë 18,777 subjekte, 604 më shumë se viti 2022. Ne numrin e tatimpaguesve aktive nuk janë përfshirë rreth 100 mijë fermer/prodhues bujqësorë të cilët nuk kanë përgjegjësi tatimore. Sa i përket punësimit, numri më i madh i përket pikërisht këtij sektori.
Sipas analizës së të dhënave zyrtare të INSTAT të publikuara në botimin “Tregu i Punës 2022”, bujqësia punëson 33.9 për qind të totalit të individëve në marrëdhënie pune. Ndërkohë, 27 % janë të punësuar në sektorin shërbime të tregut siç janë tregtia, transporti, hoteleria, shërbime të biznesit dhe administrative, ndjekur nga 17.2 për qind, të cilët punojnë në shërbime të jo tregut, si administrim publik, shërbimet sociale, dhe aktivitete e shërbime të tjera, 11.5 për qind të të punësuarve janë në sektorin e prodhimit, 7.6 për qind në ndërtim dhe 2.8 për qind në industri të tjera, si ajo nxjerrëse, energji, gaz dhe furnizimi me ujë.
Referuar regjistrit të biznesit për vitin 2023, INSTAT përllogarit se 86,2% e ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve, të cilat rezultojnë se kanë realizuar rreth 66% të xhiros vjetore dhe punësojnë 19% të forcës së punës aktive në vend. Nga ana tjetër ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 25,6% të totalit me xhiron vjetore më të madhe në ekonomi në nivelin e 40,8%. Kjo vërteton se ekonomia e Shqipërisë është e bazuar në tregti dhe jo në prodhim. Për vitin e fundit të dhënat tregojnë rritje në sektorin e turizmit e të shërbimeve si dhe rënie të ndjeshme në sektorin e prodhimit e të eksportit, kryesisht në bujqësi.
Sipërmarrja në vendet e BE-së
Në vitin 2023, BE kishte rreth 33 milionë ndërmarrje, duke punësuar 163 milionë persona. Këto ndërmarrje regjistruan një qarkullim neto prej mbi 38 trilionë euro.
Ndërmarrjet e mëdha (më shumë se 249 persona të punësuar) përfaqësonin vetëm 0.2% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve në ekonominë e BE-së (53.000 ndërmarrje). Megjithatë, ata punësonin më shumë se një të tretën e fuqisë punëtore (58.4 milionë persona, 36%) dhe gjeneronin më shumë se gjysmën (51%) të qarkullimit neto (19.6 trilion euro).
Ndërmarrjet e mesme (50-249 persona të punësuar) përbënin një pjesë të vogël të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve (0.8%, 246.000 ndërmarrje) dhe punësonin 15% të personave aktivë në tregun e punës (24.5 milionë). Këto ndërmarrje regjistruan afërsisht një të pestën e qarkullimit neto (6.5 trilionë euro, 17%).
Shumica dërrmuese, 99% (32.4 milionë ndërmarrje), ishin ndërmarrje mikro dhe të vogla që punësonin deri në 49 persona. Së bashku, ndërmarrjet mikro dhe të vogla kishin të punësuar thuajse gjysmën e të gjithë personave të punësuar në ekonominë e biznesit (49%, 80.1 milionë). Ato gjeneronin 12.2 trilion euro në qarkullim neto, që përfaqëson 32% të xhiros totale neto.
Të dhënat janë publikuar nga Eurostat, për vitin 2023.
Ndërmarrjet mikro dhe të vogla kanë punësuar 77.5 milionë persona, pra pothuajse gjysma (48%) e numrit të përgjithshëm të të gjithë personave të punësuar në ndërmarrje. Ata gjeneruan 11.9 trilion euro në qarkullim , që përfaqëson 31% të totalit (38.3 trilionë euro).
240 000 ndërmarrjet e mesme (50-249 persona të punësuar) përfaqësonin 0.8% të të gjitha ndërmarrjeve që përbënin 15% të punësimit dhe 18% të xhiros.
Sektori i shërbimeve përbënte pothuajse një të tretën e xhiros neto (12.0 trilionë euro, 31%), 63% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve (20.6 milionë ndërmarrje) dhe më shumë se gjysmën e punësimit total (85.4 milionë, 52% ).
Industria gjeneroi 33% të xhiros totale neto në 2023 (12.5 trilion euro). Me vetëm 7% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve (2.5 milionë), ajo punësonte rreth një të pestën e fuqisë punëtore aktive në tregun e punës (33.5 milionë persona, 21% e numrit total të personave të punësuar).
Tregtia përfaqësonte 30% (11.5 trilion euro) të xhiros totale, por punësonte 18% të personave (30 milionë). 18% e të gjitha ndërmarrjeve (5.8 milionë) i përkisnin sektorit të tregtisë. Ndërtimi kishte 12% (4 milionë) të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve, por vetëm 6% (2.3 trilion euro) të xhiros totale. Ky sektor punësonte 14.1 milionë persona (9%).
Duke shqyrtuar shpenzimet mesatare të përfitimeve të punonjësve në vendet anëtare të BE-së, shuma më e lartë u konstatua në sektorin financiar dhe të sigurimeve (77.500 Euro), përpara furnizimit me energji elektrike dhe gaz (68.100 Euro) dhe informacion dhe komunikim (67.530 Euro). Mesatarja për ekonominë totale të biznesit ishte 41.340 Euro. Sektorët me shpenzimet mesatare më të ulëta të përfitimeve të punonjësve ishin shërbimet e akomodimit dhe ushqimit (20.630 Euro), arsimi (28.730 Euro) dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse (29.940 Euro). Nivelet e ndryshme të pagave në industri të ndryshme ndikojnë në këto vlera, si dhe përqindja e personave që punojnë me kohë të pjesshme kundrejt punës së plotë.
Shpenzimi mesatar i përfitimeve të punonjësve në sektorin e prodhimit (48.090 Euro) ishte pak mbi mesataren për të gjitha ndërmarrjet në BE. Për këtë sektor, disponohet informacion sipas kategorive të madhësisë së punësimit. Të dhënat tregojnë se shpenzimi mesatar i përfitimeve të punonjësve është dukshëm më i lartë në ndërmarrjet më të mëdha sesa në ato më të vogla: në ndërmarrjet me 0 deri në 9 të punësuar dhe persona të vetëpunësuar ishte 28.510 Euro, në krahasim me 40.820 Euro (në ndërmarrjet me 50 deri në 249 persona) apo edhe 59 460 Euro (250 ose më shumë persona).