Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Bizneset shtojnë kursimet në banka, 160 milionë euro më tepër në janar

Shkruar nga Aranit Muraçi
SHIFRA E DITËS: Bizneset shtojnë kursimet në banka, 160

Me fillimi e vitit 2024 rriten edhe depozitat, kryesisht në Lek

Bizneset fasone, ato prodhuese dhe shumë biznese të tjera vuajnë për fuqi punëtore, nga zhvlerësimi i Euros apo rënia e konsumit vendas. Por kjo nuk i ka penguar bizneset e tjera, kryesisht ato që merret ne tregti dhe që importojnë, të shtojnë fitimet dhe kursimet. Fitimet e disa bizneseve janë shtuar ndjeshëm në muajin e parë të vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.   

Depozitat kanë përshpejtuar ndjeshëm tendencën rritëse në janar, si në monedhën vendase ashtu dhe në valutë. Por rritja e vlerës së Lekut ka bërë që të rriten më së tepërmi depozitat në monedhën vendase. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në muajin janar stoku i kursimeve në lekë arriti në 593 miliardë lekë, me një rritje prej 2.43% me bazë mujore, ose 14 miliardë lekë më shumë. Shtesa e kursimeve në lekë ka ardhur tërësisht nga likuiditetet e bizneseve.  Vetëm në një muaj, në muajin janar, depozitat e bizneseve u shtuan me 16.7 miliardë lekë, ose rreth 160 milionë euro më shumë.

Kursimet pa afat të korporatave të tjera financiare arritën në 108 miliardë lekë, me një rritje prej 18.3% në krahasim me muajin e mëparshëm. Duhet thënë se kjo është rritja më e madhe mujore e depozitave të bizneseve e regjistruar ndonjëherë që kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat nga viti 2006.

Pas lehtësimit të krizës së çmimeve, falë një farë stabiliteti që ka fituar ekonomia, janë rritur edhe depozitat, megjithëse të dhënat zyrtare nuk tregojnë specifikisht sesa u janë rritur depozitat qytetarëve. Madje as llojit të bizneseve, por nëse do të kishim sipërmarrjet me aktivitet prodhues, përgjithësisht të tilla sipërmarrje fitimet e mëdha i ri-investojnë.  

Gjithsesi, stabilizimi i çmimeve, rritja e punësimit dhe pagave ka bërë që qytetarët shqiptarë por edhe bizneset të mos i drejtohen më bankave të nivelit të dytë, për të financuar shpenzimet e tyre.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia për ekonominë arriti në 711 miliardë Lekë për muajin Janar me një rënie prej 4.5% krahasuar me muajin Dhjetor 2023, por në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë ajo është rritur me 4.1%. Edhe flukset e reja të kredive të aprovuara nga bankat vetëm për Janarin kanë shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me muajin Dhjetor, në nivelin e 93%, por krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kredidhënia e re është rritur me 41.3%.

Sipas Bankës së Shqipërisë rënia e totalit të kredisë është reflektuar si në monedhën vendase ashtu dhe në valutë të huaj. Paralelisht me kredimmarrjen treguesit e Bankës së Shqipërisë flasin për një rritje rekord të depozitave. Për muajin Janar paratë e kursyera arritën në 1.32 trilionë Lekë me një rritje prej 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paraja që qarkullon jashtë bankave ka shënuar rënie krahasuar me muajin e fundit të viti që lamë pas, duke arritur në 618 miliardë Lekë.

Ecuria e depozitave të individëve në monedhën vendase ka shënuar rritje të lehtë, me vetëm 0.95% me baze mujore. Në krahasim me një vit më parë, depozitat në lekë janë zgjeruar me 6.7%, ecuria më e mirë e viteve të fundit. që nga muaji tetor 2023, kursimet në lekë po rriten me shpejtësi.

Ndryshe nga muaji dhjetor, kur kursimet në euro qëndruan në vend, pavarësisht se dhjetori tradicionalisht ka tendencë rritëse për shkak të prurjeve të emigrantëve, muaji i parë i këtij viti ishte më pozitiv.

Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në monedhën e përbashkët arritën në 7.4 miliardë lekë, me zgjerim prej 1.% me bazë mujore, ose 96 milionë euro më shumë. Ndikimin kryesor në këtë tendencë e kanë dhënë kursimet e individëve.

Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 16%, ose rreth 1 miliardë euro më shumë

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH