Ekonomi

SHIFRA E DITËS: A e dinë deputetët se propozimi për të ndryshuar tatimin 23 për qind për pagat e larta nuk i favorizon ata?

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: A e dinë deputetët se propozimi për të

Ministra e Financave ka hedhur në diskutim një draft për të punësuarit në vend, ku parashikohet që duke nisur nga korriku i këtij viti të rritet kufiri i sipërm i pagave mbi të cilat aplikohet tatimi. Nisur nga rritja e kostos së jetesës dhe rritja e fundit e nivelit të pagave për disa kategori, tatimi e bën rritjen reale në disa raste të pavlefshme. Në vend të premtimit për rritje të pagave, ulja e tatimit mbi pagën duhet të ishte vendimi i parë që duhej ndërmarrë, ndoshta si një politike më efikase.   

Nga Financat nën drejtimin e ministrit Ervin Mete, është hedhur për diskutim opsioni që për pagat e larta kufiri i tatimit prej 23 % të aplikohet mbi nivelin e pagës 250 mijë lekë në muaj.

Në fakt, janë hedhur ide nga më të ndryshmet, dhe është eksperimentuar nga çdo qeveri me tatimin mbi pagën. Para se të diskutohet efekti pozitiv që mund të japë një taksë progresive ose jo mbi tatimin mbi pagën, më e rëndësishme se kaq do të ishte beteja serioze dhe e vërtetë ndaj informalitetit. Janë të shumtë ata të cilët i shmangen tatimit, ose ia hedhin lehtësisht shtetit, duke pranuar të paguhen me “para nën dorë”.      

Sakaq, sipas Ministrisë së Financave masat lehtësuese për të punësuarit ndërmerren si rrjedhojë e performancës shumë të mirë të të ardhurave tatimore, që do të thotë se është ulur informaliteti. Megjithëse kjo kërkon një tjetër analizë. Pasi të dhënat zyrtare tregojnë se performanca e mirë në mbledhjen e të ardhurave lidhet me rritjen e çmimeve, kryesisht shportës së ushqimeve, të cilat vijnë nga importi. Kjo do të thotë se nga TVSH-ja e aplikuar arkës së shtetit i janë shtuar qindra milionë euro gjatë vitit të kaluar. Paratë i janë hequr nga xhepi konsumatorit dhe jo atij që merr pagë, qoftë edhe një pagë të lartë.

Si shembull paga e deputetit pas rritjes së vitit të kaluar nga 1.56 milionë lekë shkoi në mbi 3 milionë lekë (të vjetra), do të ketë automatikisht taksimin më të lartë sipas propozimit të Ministrisë së Financave. Por duke qenë se deputetët ende nuk janë njohur me projekt-draftin, nuk është çudi që një i tillë të ndryshojë, sikurse ndryshoi edhe ligji i vitit të kaluar për rritjen e pagave të Administratës. Një i tillë u kthye pas nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe pasi u ndryshua (kur u dyfishua pagat e tyre dhe e ministrave), kaloi në Kuvend.    

Nuk ka një normë ideale për tatimin mbi pagën. Çdo vend aplikon norma të ndryshme, ndërsa me ndryshimin e qeverive ato ndrryshojnë shpesh. Në Greqi taksa më e ulët është 9% (zero është për të ardhurat vjetore nën 8.600 euro) dhe  44% për pagat më të larta. Italia, e cila qeveriset nga një qeveri edhe më e djathtë aplikon taksë mbi pagën 23% (përjashtohen ata me të ardhura  8,500 euro në vit) dhe 47% për pagat më të larta (43% nga të ardhurat e pagave dhe 4% për taksën speciale).

Nëse u referohemi vendeve të rajonit, në Serbi, taksa më e ulët e pagave është 10% dhe më e larta 25%. Në Maqedoninë e Veriut paga më e ulët taksohet në 10 për qind dhe ajo më e larta në 18 për qind. Në Malin e Zi, paga më e ulët taksohen në 9 për qind dhe më e larta në 12.65 për qind, por ka disa shtesa mbi tatimin më të ardhurat shtesë.

Gjithsesi, në nismën e fundit plani i qeverisë para se ajo të bëhet ligj nëse nuk do të diskutohet me të gjitha grupet e interesit, për të gjetur konsensus të gjerë e për të marrë mbështetjen që meriton edhe nga bota akademike, mund të rezultojë një tjetër eksperiment i dështuar.

Për të punësuarit me pagë deri në 50 mijë lekë bruto, norma tatimore është aktualisht zero, çka do të thotë se funksionon logjika e politikave sociale që ndjek një qeveri e majtë që ka aktualisht Shqipëria në pushtet. Për ata me pagë mujore nga 50,001-60,000 lekë/muaj tatimi në masën 13 % e shumës mbi 35 mijë lekë. Për punonjësit që paguhen mbi 60 mijë lekë në muaj, deri në 30 mijë lekë aplikohet normë tatimore zero dhe nga 60-200 mijë lekë tatohen 13% e shumës mbi 30.000 lekë. Ndërsa për pagat mbi 200 mijë lekë norma është  23 %.

Një tjetër diskutim lidhet me lehtësimin e të  punësuarve të tjerë, të cilët i kap detyrimi për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave. Sipas të dhënave zyrtare këtë detyrim për vitin 2023 e kanë në total 73.790 individë.  Në këtë kategori, pritet të bëhen disa masa lehtësuese, që lidhen me zbritje të tatimit që duhet të paguajnë, nëse plotësojnë disa kritere të caktuara.

Aktualisht zbatohen edhe disa zbritje të shpenzimeve nga të ardhurat e krijuara nga punësimi. Më tepër sesa ndryshimi i tatimit mbi pagën, detyrë më serioze e qeverisë është rishpërndarja e drejtë e të ardhurave. Tjetër sfidë është beteja ndaj korrupsionit, që ndikon në të ardhurat direkte, mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e shoqërisë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH