Aranit Muraçi
Ekziston një hendek i madh në mënyrën se si banorët anembanë Evropës i perceptojnë shanset për të gjetur një punë të mirë në qytetet e tyre.
A është e lehtë të gjesh një punë të mirë në qytetin tënd? Përgjigja varet më tepër nga vendi ku jetoni. Faktorë të tillë si gjendja ekonomike e vendit, shkalla e papunësisë dhe nëse jetoni apo jo në kryeqytet mund të ndikojnë ndjeshëm në mundësitë e punësimit.
Në 83 qytete në Evropë, të marra në analizë, më pak se gjysma e banorëve mendojnë se është e lehtë të gjesh një punë të mirë, por opinionet ndryshojnë shumë sipas raportit të Komisionit Evropian për cilësinë e jetës në qytetet evropiane në 2023.
Në Palermo, për shembull, vetëm 4% e njerëzve ndajnë këtë optimizëm, ndërsa, në Pragë, 79%, një përqindje kjo tepër e habitshme, ndjehen të sigurt për perspektivat e punës. Pra, perceptimet e banorëve vendas ndryshojnë shumë nga një vend dhe qytet në një tjetër.
Sondazhi mbulon BE-në, EFTA-n, disa vende kandidate ku bën pjesë edhe Shqipëria si dhe Britania e Madhe. Ndërsa disa vende përfaqësohen nga vetëm një qytet, të tjerët kanë qytete të shumta të përfshira në analizë.
Duke parë kryeqytetet, përqindja e njerëzve që besojnë se është e lehtë të gjesh një punë të mirë varion ndjeshëm. Praga kryeson me normën më të lartë me 79%, e ndjekur nga Bratislava (72%), Oslo (69%) dhe Stokholmi (68%).
Roma ka normën më të ulët me 20%, e ndjekur nga Athina (21%) dhe Madridi (24%).
Ndër pesë ekonomitë kryesore të Evropës, Parisi dhe Londra kryesojnë me 61% të banorëve që shprehin optimizëm për mundësitë e punësimit, të ndjekura nga afër nga Berlini me 57%. Në të kundërt, kryeqytetet e Spanjës dhe Italisë renditen në vendin e tretë të fundit, duke reflektuar besim shumë më të ulët në disponueshmërinë e vendeve të punës të mira.
Në nivel kryeqyteti, vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore tregojnë dukshëm më pak besim në gjetjen e punëve të mira, ndërsa Europa veriore dhe ajo qendrore-lindore priren të kenë pikëpamje më optimiste për disponueshmërinë e vendeve të punës.
Tirana në analizë renditet mes Budapestit dhe Stambollit, shumë afër Amsterdamit, një ndër kryeqytetet më të lakmuara për të punuar në Europë. Për të gjetur një punë Tirana lë pas kryeqytetet e rajonit si Beogradi, Podgorica dhe Shkupi, madje edhe Romën.
Këto tendenca bëhen edhe më të dukshme kur merren parasysh të 83 qytetet, me një hendek edhe më të madh mes tyre.
Përveç Palermos, qytetet e tjera italiane dominojnë renditjen më të ulët, me katër nga pesë të fundit që kanë 20% ose më pak banorë që besojnë se është e lehtë të gjesh një punë të mirë.
Njerëzit në qytetet spanjolle besojnë kryesisht se nuk është e lehtë të sigurohet një punë e mirë aty ku jetojnë, pasi më pak se një në katër banorë ndihen ndryshe në të katër qytetet e përfshira në sondazh.
Ndër pesë ekonomitë e para, Gjermania ka normën mesatare më të lartë prej 60% në qytetet e saj, e kryesuar nga Mynihu me 72%, që renditet e treta në të gjithë listën.
Mesatarja është 63% në MB, 47% në Francë, 24% në Itali dhe 21% në Spanjë, vende të përfaqësuara në analizë nga të paktën katër qytete.