Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 77 milionë Euro vlera e importit në vitin 2023, çfarë mishi konsumojnë shqiptarët?

Shkruar nga Aranit Muraç
SHIFRA E DITËS: 77 milionë Euro vlera e importit në vitin 2023,

Çfarë mishi konsumojnë shqiptarët? Nga vjen një i tillë? A është i kontrolluar mishi dhe më tej nënproduktet e tij, që konsumohen në Shqipëri? Këto pyetje ia bëjnë shpesh qytetarët vetes, në mungesë të kontrolleve rigoroze dhe detyrës që shpesh mbetet rrugëve nga institucionet ligj-zbatuese. Arsyeja kryesore, siç ndodh me thuajse të gjitha institucionet e tjera; ato nuk e kanë fituar ende kulturën e llogaridhënies dhe më keq akoma nuk mbajnë as përgjegjësi. Sipas të dhënave të Instat, vlera e importeve të mishit për vitin 2023 arriti në 8 miliardë lekë, ose 77 milionë euro. Krahasuar me vitin 2022, edhe pse popullsia ka rënë për shkak të emigracionit të vazhdueshëm dhe rënies së lindshmërisë, rezulton se kemi importuar rreth 9.2% më shumë produkte të mishit në vitin 2023.

Çfarë ka ndodhur?

Shqipëria nga humbja e fuqisë punëtore prodhon më pak, prandaj edhe për të përballuar nevojat për konsum i duhet të importojë më shumë. Ka dëshmi të shumta që tregojnë se mishi i importuar në vendin tonë është i një cilësie të dobët, i cili nuk mund të futet në vendet e Bashkimit Europian. Dhe për këtë arsye, duke qenë se në Europë ndalohet, ai futet me shumicë dhe tregtohet me çmim të lirë në Shqipëri duke joshur konsumatorin në çmim. Përdoret masivisht edhe nga kompanitë e nënprodukteve të sallamit, shpesh me qëllime përfitime, pavarësisht pasojave në shëndetin publik të qytetarëve apo në mbrojtjen e konsumatorit.     

Shifrat tregojnë se viti 2023 regjistron rekord të importit të mishit që nga viti 2005, viti i fundit për të cilin INSTAT disponon të dhëna. Nga të dhënat, viti i dytë me vlerën më të lartë të importit të mishit është viti 2011-të dhe ndiqet nga viti 2012-të, kohë kur në vendin tonë u rikthyen emigrantët për shkak të krizës ekonomike në vendet fqinje, si Greqia dhe Italia.

Pse Shqipëria nuk prodhon mjaftueshëm për nevojat e saj?

Nga të dhënat më të fundit të Eurostat, në vitin 2021, Shqipëria rezulton me numrin më të madh të fuqisë punëtore në bujqësi dhe blegtori. Sipas Eurostat, kontributi i bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit në vlerën e shtuar bruto në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi varionte midis 5,6 % në Bosnje dhe Hercegovinë dhe 21,3 % në Shqipëri, krahasuar me 1,9 % në BE.

Në Shqipëri, punësimi në bujqësi, pylltari dhe peshkim si pjesë e punësimit total ra nga 40,2 % në 2016 në 33,8 % në 2021; në Bosnje dhe Hercegovinë ajo ra me pak më pak se gjysmën nga 18,0 % në 9,4 % gjatë së njëjtës periudhë. Prodhimi total i drithërave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi arriti në 45.3 milion ton në vitin 2021, që korrespondon me 15.2% të prodhimit të drithërave në BE (297.5 milion ton). Shumica e të punësuarve në sektorin e bujqësisë prodhojnë për nevojat e tyre, ndryshe nga vendet e Europës ku blegtoria është e ndërtuar në bazë të fermave dhe ka të punësuar emigrantë, një pjesë e mirë e të cilëve janë shqiptarë.

Por cilat janë vendet partnere që na furnizojnë me mish?

Sipas të dhënave, në vitin që lamë pas, pra në vitin 2023, kemi marrë mish nga 42 vende, ku peshën më të madhe e ka Brazili. Në vlerë nominale, 35% e importit të mishit është nga Brazili, 12.9% e ka origjinën nga Greqia, 12.8% nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 20.7% nga Italia. Më pas në renditje ndjek Paraguai, Kosova, Holanda, Gjermania, Polonia dhe Franca, e cila mbyll 10 partnerët kryesorë. Në vlerë absolute, importi i mishit me Brazilin arrin në 2.8 miliardë lekë, ndërkohë me Greqinë llogaritet në rreth 1 miliardë lekë.

Lidhur me importin e kafshëve të gjalla, Rumania, Greqia dhe Hungaria janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Në Shqipëri konsumi i mishit përfaqëson 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sinjalizojnë shifrat nga Eurostat, kurse mesatarja e Bashkimit Europian sa i përket peshës që përfaqëson konsumi i mishit në raport me ekonominë është vetëm 1.5%. Sipas Agjencisë Europiane të Statistikave në një vit shqiptarët konsumojnë rreth 1 miliard euro mish. Kjo shifër është më e lartë se mishi që konsumojnë në një vit qytetarët e Islandës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi të marrë së bashku. Sipas Eurostat, mishi përfaqëson thuajse 1/5-tën e shpenzimeve të një shqiptari për ushqim në muaj. Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, dy vende të rajonit janë dy ndjekëset më të afërta të Shqipërisë në këtë indikator, me një normë pranë 5.1%. Në nivel Europian, Irlanda me 0.4% dhe Luksemburgu me 0.4% renditen në vend të fundit në kontinent.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH