Në 13 vitet e fundit, që kur qeveria e PD-së firmosi për Eurobondin e parë, është marrë në tregjet e huaja përmes kësaj skeme një borxh prej 3.2 miliard Euro. Borxhi është marrë kryesisht për të shlyer borxhin dhe interesat e borxhit paraardhës. Ish-ministri në arrati, i cili firmosi për më shumë eurobonde, Arben Ahmetaj, e kishte përmendur shpesh kur ishte në detyrë se marrja e borxhit ishte një histori suksesi për qeverinë sepse për institucionet financiare ndërkombëtare, sipas tij, fakti që Shqipërisë i jepet borxh tregonte “besueshmërinë e ekonomisë së saj”. Sakaq, sikur të mos mjaftonte zhvlerësimi i eruos që dëmtoi xhepat e një pjesë të mirë të qytetarëve dhe bizneseve, vetëm në 5 muajit e parë të këtij viti janë shpenzuar afro 220 milionë euro për interesat e borxhit, duke arritur vlerë rekord.
Shqipëria planifikon të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare, për të marrë një tjetër borxh në vitin 2025. Eurobondi që pritet të emetohet në vitin e ardhshëm do të përdoret për të mbuluar nevojat qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar ashtu edhe për shpenzime të tjera e mbështetje buxhetore.
Në kuadrin Makroekonomik e Fiskal 2025-2027 të rishikuar së fundmi nga ministri i sapo-shkarkuar Ervin Mete është saktësuar se deri në vitin 2027, ishte planifikuar të tërhiqeshin dy borxhe, njëri në vlerë 650 milionë euro në vitin 2025 dhe tjetri 540 milionë euro në vitin 2027.
Arsyeja e shkarkimit të papritur të ministrit të Financave Ervin Mete mund të mos ketë lidhje me vendimin për të marrë borxhe në tregjet e huaja, por vlen të theksohet se ka qenë e vështirë për çdo ministër që të firmosë për marrjen e borxhit me shuma kaq të larta, sikurse edhe kontradiktat për interpretimin politik të tij.
Në fakt Ministria e Financave i ka reduktuar planet nga 3 në 2 eurobonde përgjatë tre viteve (2025-2026-2027), pasi në kuadrin e miratuar në fillim të vitit 2024, ishin parashikuar të emetohen tre eurobonde, me vlera 650, 540 dhe 650 milionë euro. Edhe në Makroekonomik e Fiskal 2024-2026 ishin planifikuar tre emetime, por në vlera më të ulëta.
Duke qenë se pas reduktimit të inflacionit bankat qendrore po lehtësojnë politikat e tyre monetare duke ulur normat bazë të interesit, borxhi shpresohet të merret me një kosto më të ulët se ai i emetuar një vit më parë.
Eurobondi i vitit 2025 do të jetë i 7-ti që vendi ynë do të marrë në tregjet e huaja. Në 13 vite janë marrë 6 eurobonde me vlerë 3.2 miliardë euro. Në 2010 u emetua eurobondi i parë nga ish-ministri i PD-së së asokohe, Ritvan Bode. Kur qeveria e PD-së mori Eurobondin me vlerë 300 milionë euro me normë interesi 7.5%, PS-ja në opozitë asokohe e akuzonte vazhdimisht se “Shqipëria po merr borxhe për të shlyer borxhet”. Në fakt, shuma ishte gati dy herë më e ulët se borxhet që do të pasonin qeveritë socialiste pas ardhjes në pushtet, ndërsa interesi i shlyerjes ishte shumë më i lartë.
Në 2015 u mor borxh 450 milionë euro me normë 4.75%, në 2018 ishte i radhës 500 milionë euro me interes 3.5%. Pas tërmetit dhe pandemisë, u pa më e nevojshme që të ndërhyhej në tregjet e huaja. Në vitet 2020 dhe 2021 u emetuan eurobondet me nga 650 euro me interesa 3.5% dhe 3.7% dhe i fundit ishte i vitit 2023, me vlerë 600 milionë euro dhe interes 5.9%, në 2021 u mor një borxh prej 650 mln Euro me të njëjtin interes.
Aktualisht borxhi publik i vendit ka zbritur në 58.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pritet të reduktohet më tej në 55% në vitin 2027, por janë rritur ndjeshëm kostot e kthimit të tij për shkak të interesave të larta të viteve të fundit. Nëse vlera e Euros nuk do të kishte rënë, ndonëse rënia ka dëmtuar xhepat e shumë qytetarëve, për të shlyer borxhin në tregjet e huaja qeverisë do ti duhej të zbulonte mekanizma të reja, si heqja dorë nga investimet, ose rritja e taksave.
EUROBONDET e marrë nga Shqipëria
Viti Vlera Interesi
2010 300 mln € 7.5%
2015 450 mln € 4.75%
2018 500 mln € 3.5%
2020 600 mln € 3.5%
2021 650 mln € 3.75%
2023 600 mln € 5.9%
2025 650 mln € ?