Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 239,000 vdekje në Europë nga ndotja e ajrit, qytetarët mund të padisin qeverinë nëse nuk merr masa

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: 239,000 vdekje në Europë nga ndotja e ajrit,

Ndotja e ambjentit shkaktoi rreth 239,000 vdekje në Europë, por barra u ndje më tepër në disa pjesë të kontinentit se në të tjerat. Ndotja është një kërcënim vdekjeprurës për shëndetin publik, kurse disa pjesë të Europës janë në rrezik shumë më të lartë se të tjerat.

Ndotja është e lidhur me kancerin e mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe të frymëmarrjes, goditjet në tru, rezultate të dobëta të lindjes dhe më shumë sëmundje të tjera. Është veçanërisht e rrezikshme për njerëzit e moshuar, duke shkaktuar rreth 4 për qind të të gjitha vdekjeve në mesin e të rriturve të moshës 65 vjeç e lart.

Në vitin 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përditësoi udhëzimet e saj për cilësinë e ajrit, duke ulur pragun e rekomanduar për përqendrimet vjetore të dioksidit të azotit dhe grimcave të imta (PM2.5) si pluhuri, tymi dhe bloza nga shkarkimi.

Direktiva e përditësuar e BE-së, ndërkohë, u jep qytetarëve me probleme shëndetësore të lidhura me ndotjen të drejtën të çojnë qeverinë e tyre në gjykatë nëse ajo nuk përputhet me rregullat e BE-së për cilësinë e ajrit. Qytetarët shqiptarë, si pjesë të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian nuk përjashtohen nga kjo e drejtë  

Në dhjetor, hynë në fuqi rregulla më të rrepta të cilësisë së ajrit që synojnë ta afrojnë Bashkimin Evropian me standardet e OBSH-së deri në vitin 2030 dhe të detyrojnë shtetet anëtare të monitorojnë ndotësit si grimcat e imta, karboni i zi dhe amoniaku.

Plani është "një nga ndërhyrjet më të mëdha të shëndetit publik për një brez," tha për “Euronews Health”, Mark Nieuëenhuijsen, drejtor i nismës së planifikimit urban, mjedisit dhe shëndetit të Institutit të Barcelonës, për Shëndetin Global.

Sipas llogaritjeve,  ekspozimi ndaj PM2.5 shkaktoi rreth 239,000 vdekje të parakohshme në Evropë në vitin 2021, ndërsa 48,000 njerëz të tjerë vdiqën si rezultat i ekspozimit ndaj dioksidit të azotit, tha Agjencia Europiane e Mjedisit.

Aktualisht, të gjitha vendet e BE-së raportojnë nivele të dioksidit të azotit mbi nivelet e rekomanduara nga OBSH, por disa janë goditur më shumë nga ndotja e ajrit se të tjerët.

Maqedonia e Veriut vuan pasojat e më së shumti vdekjeve nga ndotja e ajrit, e ndjekur nga Serbia. Dhe Shqipëria fqinje, Bullgaria dhe Mali i Zi kanë të gjitha rezultate shumë të larta, sipas raportit të fundit nga Komisioni Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

SHIFRA E DITËS: 239,000 vdekje në Europë nga ndotja e ajrit,

Harta që tregon shkallët e vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit sipas vendit. Shqipëria me 164 të prekur nga 1 mijë banorë është shumë  afër shifrave të vendit fqinj, Maqedonia e Veriut  

"Ndarja më e madhe në Evropë që shohim edhe në këtë rast është lindja dhe perëndimi [dhe kjo] përputhet shumë me PBB-në si dhe prejardhjen socio-ekonomike të dy rajoneve,” – u shpreh Zorana Jovanovic Andersen, një profesore e epidemiologjisë mjedisore në Universitetin e Kopenhagës dhe anëtare e Shoqatës Evropiane të Frymëmarrjes.

Studimi i Nieuwenhuijsen në nivel qyteti nënvizon sfidat me të cilat përballen pjesë të ndryshme të Europës. Italia veriore, Polonia dhe Republika Çeke kanë njohur nivele të larta të vdekshmërisë si shkak i PM2.5, të cilat janë kryesisht të nxitura nga burimet e banimit, si djegia e qymyrit për ngrohjen e shtëpive dhe sektori bujqësor.

Ndërkohë, vdekshmëria e NO2 - nxitet nga trafiku i makinave dhe sektori industrial – dhe ishte më i lartë në qytetet kryesore si dhe kryeqytetet, në Evropën Perëndimore dhe Jugore.

Disa vende po ndërmarrin hapa për të frenuar nivelet e ndotjes, përfshirë Danimarkën, e cila mund të bëhet vendi i parë në botë që do të vendosë një taksë karboni për blegtorinë në vitin 2030.

Megjithatë, raporti nga OECD dhe Komisioni Europian tha se ndërsa BE është në rrugën e duhur për të frenuar vdekjet e lidhura me PM2.5 me 55 për qind deri në vitin 2030, faktorët e rrezikut mjedisor si ndotja e ajrit dhe ndryshimet klimatike janë "kërcënime në rritje për shëndetin publik."

Kjo për shkak se shkencëtarët dinë më shumë sot për ndikimet shëndetësore të ndotjes së ajrit dhe duket se përbën një rrezik për njerëzit në nivele më të ulëta nga sa njiheshin më parë, thanë Nieuwenhuijsen dhe Andersen.

 “Edhe nëse ulni në mënyrë të konsiderueshme nivelet e ndotjes së ajrit, mund të mos zvogëloni gjithmonë ndikimet në shëndet”, shtoi Nieuwenhuijsen. Ndotja e ajrit mund të jetë kërcënimi kryesor për shëndetin mjedisor me të cilin përballet Europa. Por ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si mungesa e hapësirave të gjelbra , ndotja nga zhurma dhe nxehtësia ekstreme, të cilat të gjitha kanë një ndikim në shëndetin e njeriut.

Duke pasur parasysh se disa nga këto sfida janë më të vështira për t'u zgjidhur – si ndryshimi i klimës – Andersen tha se ekziston një rast më i fortë për kufizimin e ndotjes së ajrit në emër të mbrojtjes së shëndetit. - “Ne kemi reduktuar ndotjen e ajrit dhe e dimë se si ta bëjmë këtë dhe shumë vende po udhëheqin,” - tha Andersen. - “Ka sfida të reja, kështu që ne duhet të rregullojmë ndotjen e ajrit - problemi i vjetër".

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH