Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se përgjatë periudhës 7-mujore të vitit 2024, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar në vlerën e 38.1 miliardë lekë me një rritje prej 5.1 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se 7-mujori 2023.
Referuar të dhënave të financave, të ardhurat nga tatimi mbi pagën nga sektori publik u realizuan me rritje +21.4%, në krahasim me 7-mujorin e vitit 2023, Kjo rritje reflekton në mënyrë direkte rritjen e pagave të ndërmarrë në mesin e vitit të kaluar dhe përgjatë këtij viti, duke qenë se vendimi hyri në fuqi në muajin Korrik.
Ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi pagën nga sektori privat u realizua me rritje +14.9%, në krahasim me 7-mujorin e vitit 2023, duke kontribuuar në këtë mënyrë në rritjen e të ardhurave nga ky tatim. Më shumë sesa rritja në sektorin privat është ulja e informalitetit. Shumë biznese që përdornin deri vonë dy bilance dhe dikur i deklaronin punonjësit me pagë minimale, ose nuk i deklaronin fare, tashmë janë ndërgjegjësuar.
“Kontribuuesi kryesor në rritjen e pagës reale ka qenë natyrisht sektori publik me një rritje prej rreth 13 %, e që ndiqet pastaj nga sektori privat me një rritje në masën 9.7 %”, tha ministri i financave. “Më duhet të theksoj që rritja e pagave në sektorin publik natyrisht ushtron një presion pozitiv në sektorin privat, i cili do të duhet ta ndjekë rritjen e pagave, në mënyrë që të jetë i konkurrueshëm në treg. Paga mesatare aktuale në Shqipëri është në masën 710 euro, ndërkohë që paga mesatare në administratën publike është në masën 900 euro” tha ministri Malaj.
“Një indikator tjetër i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të vitit 2023 shënojnë një stok prej 1.5 miliardë euro, me një rritje prej mbi 8 % në raport me stokun e investimeve të huaja direkte që kemi pasur në fund të vitit 2022. Edhe për tremujorin e parë të vitit 2024 kemi një rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose e përkthyer ndryshe në shifra dhe në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2023 kjo rritje është 15.2 %”, shton më tej ministri, në përmbledhjen 7 mujore të financave.
Gjithsesi, rritja e pagave pa marrë në konsideratë produktivitetin nuk mund të jetë një rritje e drejtë dhe reale. Një rritje e tillë rrezikon të shoqërohet me rritje të inflacionit, ose me thellim të pabarazive duke taksuar kategori të tjera të shoqërisë. Ajo që nuk thotë as ministria dhe asnjë institucion përkatës është mungesa e analizës së produktivitetit dhe lidhja e tij me pagën. Ku është më i lartë produktiviteti, në cilët sektorë të ekonomisë, si matet? Si rritet paga, mbi çbazë?
Pa rritje të pagës bazuar në rritje të produktivitetit, “rritja” për të gjithë njësoj do të shoqërohet me demoralizim për më të aftët të cilët do të shohin si mundësi largimin, në një treg tjetër ku puna dhe aftësisë vlerësohet. Një treg i tillë, që është ai i BE-së, për fatin e mirë të shqiptarëve është afër nesh dhe po bëhet gjithnjë e më shumë i askesueshëm. Prandaj edhe kjo është sfida e vërtetë e qeverisë: si do ta fitojë Shqipëria betejë për të inkurajuar që të qëndrojnë në vendin e tyre më të aftët për punë?