Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 20 milionë turistët e ishujve spanjollë dhe debati bosh për xhepat e pronarëve të çadrave në plazhet tona!

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: 20 milionë turistët e ishujve spanjollë dhe

Në foto situata e pazakontë e këtij sezoni, në plazhet e jugut të vendit tonë

Aranit Muraçi

Për ti dhënë përgjigjen e duhur debatit dhe në disa raste ‘lotëve që po derdhen lum këto ditë’, nga meraku i disa “ekspertëve” që po shqetësohen se mos u mbeten xhepat bosh pronarëve të çadrave, shumica e të cilëve kanë zaptuar bregdetin nga Velipoja në Sarandë, dhe shpesh kanë abuzuar me çmimet, është me vend për të bërë një xhiro në Spanjë në këto ditë përvëluese vere.

Nëse do të mund të shkoni në plazhet e Majorkës këtë verë, do të përballeni me dy forca të pandalshme.

E para, aq e vjetër sa koha, plazhi fantastik, dallgët e detit Balearik dhe rëra e bollshme e bregdetit.
E dyta, një fenomen më modern, ‘cunami’ i turizmit që kërcënon të konsumojë gjithçka në rrugën e tij.
Çdo centimetër plazh është zaptuar nga të huajt. Të gjesh një vend parkimi, gjatë sezonit veror në bregdetin e ishujve të Spanjës, është njësoj si të kesh gjetur një thesar.

Nëse e braktisni vendin ku jeni duke marrë rreze dielli për një kohë të gjatë, nuk bëni asgjë tjetër veçse i lini vend radhës së gjatë të uzurpatorëve të mundshëm.
Të gjitha këto janë shenja të zemërimit që shihet dhe dëgjohet në të gjithë ishullin, jo më pak nga zhurma e pandërprerë e pajisjeve elekstronike të pagesave pa kontakt që kumbojnë nga hotelet, restorantet dhe baret e mbushura plot.

Por nëse kjo është një histori e pasurisë kolosale që po derdhet mbi një komunitet spanjoll, i aftë për të bërë biznes me turizmin, Sonia Ruiz, ashtu si shumë banorë të tjerë vendas me siguri nuk ndajnë të njëjtin mendim sepse nuk po shohin asnjë leverdi.
Takojmë nënën e një fëmije, 31 vjeçe, në një park disa qindra metra larg bregut të detit në kryeqytetin i ishullit, Palma.
Djali i saj katërvjeçar Luca kalon kohën duke u zbavitur në këndet e lojërave pa asnjë shqetësim.
Por Sonia është vërtet në hall të madh. Pronari i saj u ka kërkuar atyre të largohen dhe ajo thotë se gjetja e një apartamenti të ri është e pamundur.
“Çdo ditë kërkoj dhe çdo ditë qiraja është duke u bërë më e lartë”, thotë ajo. Madje i ndaloj njerëzit në rrugë dhe i pyes nëse kanë ndonjë banesë bosh sepse po afron dita kur do të më duhet të largohem nga apartamenti dhe thjesht unë dhe djali im mund të mbetemi të pastrehë sepse nuk ka apartamente.

Sonia dhe partneri i saj janë ndarë por janë detyruar të jetojnë së bashku sepse individualisht nuk mund të përballojnë dot koston e qirasë, pavarësisht se çojnë çdo muaj në shtëpi 2400 euro.
“Kërkojnë depozita disamujore. Madje disa më kanë thënë se nuk duan fëmijë, nuk duan as kafshë. Dhe ka kaq shumë njerëz që po kërkojnë apartamente,” thotë Sonia. Historia e saj ashtu edhe e disa qytetarëve të tjerë është bërë pjesë e një reportazhi nga BBC, nga ku edhe janë marrë të dhënat lidhur me bumin turistik në Spanjë. Por medalja ka edhe një anë tjetër.

SHIFRA E DITËS: 20 milionë turistët e ishujve spanjollë dhe
Sonia Ruiz, 31 vjeçe

Ashtu si mijëra Majorkanë, Sonia proteston këtë fundjavë kundër rritjes së numrit të turistëve sepse ajo dhe të tjerët fajësojnë bumin turistik për rënien e standardeve të jetesës në mesin e popullsisë vendase.
Aktivistët thonë se rritja e kostove të banesave po nxitet nga një numër i madh i shtëpive dhe apartamenteve që blihen nga të huajt, ose të paktën u jepen atyre me qira, për pjesën më të madhe të verës. Është një problematikë e ngjashme me atë po ndodh në Shqipëri me rritjen e pazakontë të numrit të turistëve, oferta e të cilëve ka dëmtuar jetesën e një pjese të mirë të banorëve vendas të cilët jetojnë me qira ose kërkojnë të blejnë një apartament.

Instituti Kombëtar i Statistikave të Spanjës thotë se vitin e kaluar 14.4 milionë turistë të huaj vizituan Ishujt Balearik, nga të cilët Majorca është më e madhja - e ndjekur nga Menorca dhe Ibiza. Numri përputhet me shifrën e turistëve që ka vënë Shqipëria si objektiv për të arritur këtë vit. Sipas të dhënave të vitit të kaluar nga Instat, numri i mbërritjeve në Shqipëri arriti në 10 milionë e 500 mijë, përfshirë turistë, emigrantë dhe kalimtarë.

Nëse do të llogariten edhe vizitorët vendas, pra ata spanjollë, aktivistët pretendojnë se këtë vit mund të shohin 20 milionë vizitorë në ishujt e famshëm Balearics. Sipas shifrave zyrtare 85.1 milionë udhëtarë ndërkombëtarë vizituan Spanjën në periudhën janar-dhjetor 2023.

SHIFRA E DITËS: 20 milionë turistët e ishujve spanjollë dhe
Turistë në plazhet e Spanjës

Ndërsa turizmi i Spanjës është zhvilluar gjatë dekadave, debati në ishullin iberik nëse miliona vizitorë sjellin më shumë probleme sesa përfitime është intensifikuar kohët e fundit.
E ndërsa në vendin tonë në vend të debatit mbi qiratë dhe banesat që janë bërë gati të papërballueshme për qytetarët, debati për çudi është “arratisur” diku tjetër, te çadrat e pronarëve të plazheve tona që kanë mbetur bosh.
Punë e madhe!

A thua se e ka ndonjëri shkopin magjik veç ligjeve të tregut (ofertë-kërkesë) për të marrë pushuesit dhe për ti ulur aty, ku ka vende bosh, me qëllim që abuzimi dhe çmimet të rriten pambarimisht. Pronarët e çadrave të bregdetit tonë nëse u kanë ikur këtë vit pushuesit, me siguri që ata do të kenë përjetuar ndonjë histori të hidhur nga përvoja e kaluar. “Pronarët e detit” nga Velipoja në Sarandë, pas kësaj, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të studiojnë tregun, që vitin tjetër të tërheqin pushuesit të cilët shkojnë në mal, lum, kodër, pishinë, apo në vendet e tjeta fqinje, të afrojnë shërbimin e duhur dhe të konkurojnë me çmimet.
Nëse nuk konkurojnë dot dhe falimentojnë, punë e madhe fort!

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH