Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 16.520 pensionistë u shtuan për vitin 2023! A është koha të reformojmë sistemin e pensioneve?

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: 16.520 pensionistë u shtuan për vitin 2023! A

Shumë vende të zhvilluara për të mos rënë në kolaps kanë reformuar vitet e fundit sistemet e tyre të pensioneve. Ndoshta në vendin tonë para se të jetë vonë,  reforma duhet të nisë nga beteja pa kompromis me informalitetin

30,247 të moshuar kanë mbushur moshën e pensionit dhe kanë lidhur pension pleqërie gjatë vitit 2023 me Institutin e Sigurimeve Shoqërorë. Referuar të dhënave zyrtare, nga ata gtë cilët u pëfshinë në skemën e pensionit 17 mijë prej tyre janë meshkuj dhe 13 mijë femra.

Pensioni mesatar mujor i një pensionisti llogaritet në 15.560 lekë në muaj, ose më pak se rreth 1/3 e pagës minimale në shkallë vendi.  Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2023, rreth 13,727 pensionistë kanë humbur jetën, duke bërë që numri real i shtesës të jetë 16.520 pensionistë. Ndërkohë që rritet numri i tyre, po bie ndjeshëm lindshmëria, emigracioni nuk ndalet, skema e pensioneve mund të kthehet në “një minë me sahat” nëse trendi vijon me këto ritme. Aktualisht, mosha e daljes në pension për meshkujt është 65.2 vjeç, ndërsa për femrat 61.7 vjeç, ndërsa mosha mesatare për të dy gjinitë është 63.9 vjeç

Për shkak të papunësisë, ose informalitetit të lartë, gjatë viteve të tranzicionit shumë qytetarë në moshë pune nuk janë përfshirë në skemat e sigurimeve shoqërore. Përfshirë edhe faktorë të tjera, “plaga sociale” e pensioneve mund ta bëjë të të ardhmen edhe më të zymtë ose në varësi të moshës së vendeve të tjera perëndimore  ku duam të integrohemi.  

Për shkak të ndryshimeve në modelet demografike të lindshmërisë, jetëgjatësisë dhe migrimit, raporti i varësisë së të moshuarve thuajse u dyfishua (nga 8.6% në 1989 në 16.7% në 2011) dhe pritet të rritet në 32.9% deri në vitin 2030.

Një pjesë shumë e madhe e skemave të mbrojtjes sociale financohet nga buxheti i shtetit, mirëpo rritja e numrit të përfituesve e bën të pamundur financimin, në të ardhmen, nëse nuk gjendet zgjidhje. Numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë nxjerr në pah pasiguri dhe paqëndrueshmëri të skemës, në një plan afatgjatë. Nëse raporti i mbështetjes vazhdon të përkeqësohet, qëndrueshmëria dhe aftësia e sistemit për të paguar pensionet përkatëse në afat të gjatë do të rrezikohet. Kjo, edhe si pasojë e moshës së ulët të pensionistëve për shkak të daljes në pension të parakohshëm në vitet 1990.

Shpenzimet për pensionet në Shqipëri janë në skajin më të ulët krahasuar me Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Niveli i lartë i papunësisë, puna e padeklaruar dhe mospjesëmarrja në skemën e të vetë-punësuarve në bujqësi vazhdon të ndikojë dhe pritet të jetë një barrë edhe më e madhe sociale për shoqërinë në vitet në vijim, ndryshe nga vendet e tjera anëtare të BE-së, për faktin se kjo kategori e pasiguruar nuk do të ketë të drejtë për përfitime.

Sipas ligjit, punëdhënësit dhe të vetë-punësuarit paguajnë kontribute në bazë të pagës minimale të përcaktuar çdo vit nga qeveria, por shpesh punonjësit në sektorin privat deklarojnë vetëm pagën minimale për pagesën e kontributeve. Si rezultat, rreth 90% e pensioneve të pleqërisë janë në nivelin minimal të përfitimeve të nevojshme për të mbijetuar.

Nga njëra anë emigracioni po mbështet financiarisht pensionistët në Shqipëri, qoftë edhe ekonominë me remitancat, por nga ana tjetër duhet thënë se kjo është një përqindje e popullsisë që nuk paguan taksa dhe sigurime shoqërore në vend. Kështu migrimi është përkeqësim i gjendjes së pensioneve sepse ata që largohen nga Shqipëria janë në vitet e tyre më të mira të punës dhe mungesën e tyre, vendi dhe e ardhmja e tij, e vuan më së shumti.

Shkalla e varësisë së sistemit (NVS), e cila shpreh raportin ndërmjet kontribuuesve dhe përfituesve, sipas qasjes së Bankës Botërore do të rritet nga rreth 86 pensionistë për 100 kontribues që ishte  vitin e kaluar në rreth 120 pensionistë për 100 kontribues në vitin 2032. Pas kësaj do të mbetet mbi këtë nivel deri nga fundi periudhës së parashikuar, duke shënuar një rënie të lehtë në vitin 2080 kur ky raport do të jetë 118 pensionistë për 100 kontribues.

Plakja e popullsisë  sipas projeksionit të BB do të sjellë një rritje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili nga 23% në 2012, do të rritet në 41% në 2030. Më pas ritmi i rritjes pritet të mbetet gradual, duke shkuar në 56.8% në 2055 dhe do të arrijë vlerën më të lartë, 68.9%, në vitin 2080. Një rritje e tillë e raportit të varësisë së të moshuarve e bën sistemin aktual të pensioneve të papërballueshëm financiarisht dhe demografikisht.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH