Eksportet dhe prodhimi vendas po bien me shpejtësi. Rënia e pandalshme gjatë viteve të fundit është duke e zhytur ekonominë në një perspektivë të zymtë. Mungesa e fuqisë punëtore, mungesa e politikave favorizuese për të mbështetur prodhimin vendas, zhvlerësimi i euros, rritja e kostove të brendshme dhe rënia e kërkesës së huaj kanë vënë në vështirësi prodhimin vendas. Në vitin 2025 është pikërisht kjo një ndër sfidat kryesore të politik-bërësve. Nëse çështja nuk do të trajtohet me seriozitetin që meriton, do të mbetet ose jo politikisht i hapur Ballkani, shumë shpejt konsumatorët shqiptarë do të blejnë edhe agrumet, rrushin, preshin dhe karotën, në tregjet rajonale, veçanërisht në Maqedoninë fqinje, Serbi, Greqi dhe Itali, të fundit dy vende të BE ku për të rritur prodhimin ka emigruar dhe punon prej vitesh një numër i konsiderueshëm shqiptarët.
Në vitin 2024, të dhënat zyrtare tregojnë se eksportet arritën vlerën 372.6 miliardë lekë, me një rënie me mbi 67 miliardë lekë ose 15.4% krahasuar me një vit më parë.
Mangësitë e prodhimit vendas janë ndjerë edhe në treg, ku kërkesat e konsumatorëve për produkte që prodhoheshin deri tani në vend po plotësohen me mallra të importuara. Fruta-perimet, zarzavatet, bulmeti dhe deri te mishi, në shumë raste tregtarët furnizohen nga jashtë.
Vlera e produkteve të prokuruara nga jashtë arriti në mbi 894 miliardë lekë në vitin 2024, një rritje prej 21.7 miliardë lekë ose 2.5% më shumë se një vit më parë. Kjo do të thotë se nuk ka rënë konsumi, por prodhimi vendas, në vend që të ndodhte e kundërta.
Një situatë e tillë e ka çuar deficitin tregtar të vendit në nivele rekord.
Ky tregues arriti në 521.7 miliardë lekë ose rreth 5.2 miliardë euro në fund të vitit të kaluar, niveli më i lartë që nga mbajtja e të dhënave zyrtare, përfshirë vitet e tranzicionit, por edhe para kësaj periudhe.
Por teksa eksportet po tkurren në vlerë, e kundërta po ndodh me importin si në sasi ashtu edhe në vlerë. Gjatë vitit 2024, vendi ka blerë nga jashtë 1.2 milionë tonë produkte ushqimore, pije e duhan, me vlerë 1.5 miliardë euro, me rritje në raport me vitin 2023 me rreth 110 milionë euro, pasi sipas INSTAT në vitin 2023, nga jashtë u blenë afro 1.4 miliardë euro.
Përfaqësuesit e bizneseve shqiptare thonë se faji për këtë qëndron tek shteti, i cili me skemën e TVSH-së po favorizon importin. Sa i takon çmimit për kilogramë, rezulton se produktet shqiptare janë zhvlerësuar akoma edhe më shumë sesa ato të huaja. Nëse në 2023-shin në kilogram i importuar ka kushtuar mesatarisht 129 lekë, në vitin që lamë pas zbriti në 120 lekë. Kurse një kilogramë i eksportuar vjet ka kushtuar 112 lekë, nga 142 lekë që kushtoi në vitin 2023.
Përveç politikave favorizuese që mbron prodhimin vendas, në tregjet e huaja të vendeve të BE-së është certifikuar cilësia. Kjo me qëllim që të të mbrohet si konsumatori ashtu edhe prodhuesi. Në vendin tonë abuzimi me cilësinë i ka dëmtuar të dy palët dhe ka favorizuar tregtarët. Në një situatë të tillë do të kemi më pak prodhime vendi.
Analiza e të dhënave me vendin fqinj, Greqinë, tregon se tregu shqiptar po importon ushqime. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, Greqia është renditur e 4-ta në partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë për vitin 2024. Vëllimi i tregtisë me Greqinë ka zënë 7,2% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, duke u rritur me 0,7% krahasuar me një vit më parë.
Referuar statistikave, gjatë vitit që lamë pas drejt vendit fqinj u importuan 8,075 milionë lekë tekstile dhe këpucë, si dhe 4,185 milionë lekë material ndërtimi dhe metale. Vlera e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegës dhe energjisë elektrike të eksportuar llogaritet 3,001 milionë lekë. Shqipëria importoi 19,015 milionë lekë ushqime, pije dhe duhan, 11,700 milionë lekë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike, si dhe 11,245 milionë lekë produkte kimike dhe plastike.