Aranit Muraçi
Të gjitha qeveritë e tranzicionit kanë refuzuar të miratojnë deri më sot minimumin jetik në vendin tonë. Nëse gjatë 15 viteve të para të tranzicionit, mundësitë ishin të pakta, në 15 vitet e fundit, refuzimi ka ardhur më shumë si mungesë vullneti. Minimumi jetik është përcaktimi i një shume minimale që i nevojitet një individi për të përballuar jetesën (ushqim, strehim, nevoja të tjera si ato shëndetësore etj).
Nga raporti i INSTAT rezulton se minimumi jetik në vendin tonë në vitin 2022, është vlerësuar 184 euro në muaj, shifër që besohet se sot varion nga 200 në 220 euro. Referuar këtyre shifrave Avokati i Popullit, thotë në raportin vjetor se 1/3 e popullsisë jeton në varfëri. Nëse qeveritë do të miratonin minimumin jetik, shteti do të ishte i detyruar të paguante faturën e rritjes për të githë ata cilët mbahen me asistencë sociale ose e kanë pensionin nën 220 euro.
Mosmiratimi edhe pse fatura do të jetë qindra milionë euro në vit tregon mungesë vullneti për të mos e trajtuar si duhet varfërinë. Megjithatë zgjidhja nëse vullneti ekziston është në tryezë: ulja e shpenzimeve të panevojshme, të luksit, udhëtimet, dietat, konferencat, dy-punësimet pa produktivitet, dhe më kryesorja, lufta ndaj korrupsionit, do të mjaftonin për ta trajtuar me seriozitetin që meriton varfëria në vendin tonë.
Europa
Në vitin 2023, 94.6 milionë njerëz në vendet anëtare të BE sipas shifrave të Eurostat, Instituti Europian i Statistikave, ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social; kjo ishte e barabartë me 21.4 % të popullsisë së BE-së.
Rreziku i varfërisë ose i përjashtimit social në BE ishte, në vitin 2023, më i lartë për gratë sesa për burrat (22,3 % krahasuar me 20,3 %).
Mbi një e pesta (22,4 %) e popullsisë së BE-së që jetonte në familje me fëmijë në ngarkim ishte në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social në vitin 2023.
Vlera e minimumit jetik dukshëm është rritur vit pas viti nga 2012 deri 2021, çka tregon se janë rritur kostot e jetesës minimale. Konkretisht mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2012 shënon vlerë të minimumit jetik 679 euro/muaj ndërsa në vitin 2021 shënon 869 euro/muaj, rritje me 28% të kostove të jetesës.
Ndërsa as rrritja e ndjeshme e kostos së jetesës gjatë pesë viteve të fundit nuk është reflektuar qoftë te pensionet ashtu edhe te shtresat e tjera që trajtohen me ndihmë sociale.
Rajoni
Në vitin 2022, Serbia kishte të ardhurat mesatare më të larta për person midis vendeve kandidate, me 7.567 standarde të fuqisë blerëse, rreth 40% të nivelit të BE-së (18 706 PPS). Ajo pasohej nga Mali i Zi (7.309 PPS).
Pabarazitë e shpërndarjes së të ardhurave janë më të mëdha në vendet kandidate sesa në BE, me koeficientët më të fundit të disponueshëm Gini që variojnë nga 31.4 në Maqedoninë e Veriut (2020) në 44.2 në Kosovë (2018), krahasuar me 29.6 në BE në 2022.
Në Turqi, përqindja e personave që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët të punës ishte 8.1% në vitin 2020, pak më e lartë se në BE (7.7%). Përqindjet ishin më të larta në vendet e tjera kandidate, duke filluar nga 11.6% në Shqipëri në 37.6% në Kosovë (2018).
Të ardhurat shprehen në standardet e fuqisë blerëse (PPS) që është një njësi që merr parasysh dallimet në nivel çmimesh midis vendeve, duke e bërë kështu informacionin më të krahasueshëm.
Serbia kishte të ardhurat mesatare vjetore më të larta ndërmjet vendeve kandidate për të cilat të dhënat ishin të disponueshme në vitin 2022 (7.567 PPS për frymë), pra rreth 40% e nivelit të regjistruar në BE në të njëjtin vit (18.706 PPS për frymë ), pavarësisht se ka qenë në një nivel më të ulët se Turqia dhe Mali i Zi për pjesën më të madhe të periudhës së vëzhguar.
Të ardhurat mesatare vjetore në vitin 2022 në Mal të Zi ishin pak më të ulëta se në Serbi në 7.309 PPS për frymë. Në Turqi, të ardhurat mesatare vjetore u rritën në përputhje me tendencën e përgjithshme në vendet e tjera kandidate deri në vitin 2017, e ndjekur nga disa luhatje për të arritur një nivel në vitin 2021 që ishte pothuajse 5 % më i ulët se në 2016 (6.210 kundrejt 6.501 PPS për frymë). Kjo rënie e fuqisë blerëse të të ardhurave është lidhur me normën e lartë të inflacionit.
Të ardhurat mesatare vjetore u rritën nga 3.916 PPS për frymë në vitin 2012 në 5.988 PPS për frymë në vitin 2020 në Maqedoninë e Veriut.
Vetëm të dhënat për vitin 2018 janë në dispozicion për Kosovën. Në atë vit, Kosova kishte të ardhurat mesatare vjetore më të ulëta (3.953 PPS për frymë), jo shumë larg Shqipërisë, e cila arriti nivelin prej 4.275 PPS për frymë në vitin 2021, pra më pak se një e katërta e nivelit të BE-së (18.014 PPS për frymë në 2021).