Muaji Korrik shënoi një rritje të inflacionit duke shkuar në nivelin 2.5% nga 2.1% që ishte një muaj më parë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, peshën më të madhe të kësaj rritjeje e kanë pasur shërbimet arsimore me 4.1%. Kjo lidhet me përgatitjet për vitin e ri akademik.
Pas tyre, rritjen më të madhe të çmimeve e kanë pasur grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 3.6%. Kjo e ndikuar nga kërkesa e lartë për shkak të fluksit të turistëve gjatë sezonit veror.
Trend rritës kanë pasur edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe duhani me 3% që argumentohen gjithashtu me flukset turistike në zonat bregdetare. Veshjet dhe këpucët njohën rritje gjithashtu të pasuara nga moblimi, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja.
Sipas INSTAT, lista mbyllet me çmimet e transportit dhe komunikimit që kanë qëndruar në të njëjtat nivele.
Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik 2024 është 2,5 %.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,1 % vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 2,7 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,3 %, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,1 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 %, “Transporti” dhe “Komunikimi” me 0,3 % secili.
Në muajin Korrik 2024, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,2 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,7 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rritën me 0,4 % secili, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3 % secili, “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 %.
Inflacioni megjithatë mbetet nën nivelin 3% të përcaktuar si synim nga Banka e Shqipërisë dhe poshtë mesatares 2.8 që ka llogaritur Eurostat për BE-në.