Pas propozimit nga Partia Demokratike të amendamentit lidhur me minimumin jetik në buxhetin e shtetit për vitin 2025, ka ardhur dhe reagimi nga ana e qeverisë, e cila e ka rrëzuar këtë propozim.
Qeveria argumenton se nuk ka një metodologji të qartë për përllogaritjen e minimumit jetik dhe se nuk është analizuar në detaje nëse ky nivel do të përmbushte nevojat reale.
Këshilli i Ministrave theksoi se buxheti i shtetit alokon 33% të shpenzimeve për skema sociale, një përqindje që është në përputhje me standardet e vendeve të tjera të rajonit.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale e vlerësoi propozimin si të pasaktë, duke theksuar se nuk përfshin të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e sigurimeve shoqërore jashtë vendit.
Ajo gjithashtu e cilësoi të paqartë metodologjinë e përdorur për llogaritjen e minimumit jetik.
“Minimumi jetik do kishte ndikim të drejtëpërdrejt në treg. Duke nisur që nga paga minimale, do vërenim indekse që do preknin gjithë profilet e pagave. Me minimum jetik do të kuptohej kur individi mund të përpallojë kostot për të jetuar duke ndikuar dhe me indeksime në drejtime të tjera,” shprehet Kolindo Vjerdha nga “Qëndresa Qytetare”.
Deputetët e Partisë Demokratike, të cilët depozituan amendamentin në Kuvend, theksuan se Shqipëria është i vetmi vend pa një minimum jetik, i cili do të sigurojë të ardhura për blerjen e ushqimeve dhe shërbimeve minimale për qytetarët.