Në vitin 2023, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 19.338 tonë nga 17.799 tonë që ishte në vitin 2022, duke shënuar një rritje me 8,65 %.
Struktura e zënieve sipas kategorive ujore:
Kategoritë ujore të peshkimit janë: det, bregdet, laguna, ujëra të brendshme, akua-kulturë dhe molusqe. Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë, “Akuakultura” me 47,27 % dhe “Ujërat e brendshme” me 25,12 %, pasuar nga peshkimi “Detar” me 22,02 %, ndaj prodhimit gjithsej.
Ndryshimet vjetore të zënieve sipas kategorive ujore
Në vitin 2023, rritjen më të madhe, e ka shënuar kategoria “Ujërat e brendshme” me 43,39 % të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Aquakultura” me 14,46 %. Kategoria ujore “Molusqe” ka pësuar rënie me 79,83 % në vitin 2023, krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2023, për sa i përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Karkaleci i thellësisë” me 19,42 % ndaj zënieve gjithsej, pasuar nga “Merluc” me 15,17 % dhe “Sardele” me 11,51 %. Përsa i përket zënieve në ujërat e brendshme, specia “Karas” zë përqindjen më të madhe të zënieve gjithsej me 25,77 % pasuar nga “Krap” me 22,07 % dhe specia “Skortë” me 14,99 %.
Në vitin 2023, janë 811 subjekte të licensuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit. Flota vepron pothuajse plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 27 subjekte më shumë se një vit më parë.
Në vitin 2023, porti me numrin më të madh të anijeve të licensuara është porti i Durrësit me 36,87 % të flotës së përgjithshme, porti i Vlorës ka 30,83 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 15,04 %.
Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të licensuara për peshkim janë ato të Lushnje-Fier me 2,22 %, Himarës me 1,60 %.
Flota detare sipas llojit të anijes
Flota detare shqiptare nisur nga qëllimi i anijes ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica me 71,64 % si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike) me 24,54 %, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.
Prodhimi i rasateve
Një fokus të veçantë po i kushtohet prodhimit të rasateve si: Trofta Ylber, Koran dhe Krap si një vëmendje e shtuar dhe ndihmesë për ruajtjen e biodiversitetit. Në vitin 2023, u prodhuan dhe hodhën në liqenin e Ohrit 3,30 milion rasate të Troftës Ylber, 1,80 milion rasate të Koranit dhe 1,15 milion rasate Krap.