Reforma e re që do prekë sistemin e pensioneve do të bazohet tek parimi i kontributeve. Vitin e kaluar në skemën e pensioneve rezultonin 705 mijë persona, shifër që rritet çdo vit ndërkohë që po bie numri i kontribuesve. Kjo ka detyruar qeverinë që të hartojë një reformë të rëndësishme me ekspertë të Bankës Botërore, e cili do të nisë zbatimin vitin tjetër. Më 1 tetor të këtij viti pritet indeksimi i radhës i pensioneve, që pritet të jetë mbi 10 për qind për pensionet që janë më pak se gjysma e pagës minimale, pra nën 20 mijë lekë.
Olta Manjani, zv/ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për mikrofonin e Tv Klan mbi këtë temë thotë se në asnjë rast nuk do të anashkalohen vitet e kontribuesve, duke bërë që kush ka paguar më shumë do të marrë edhe një pension më të lartë.
“Po rishikojmë mundësinë për kryerjen e një reforme me bazë më të gjerë duke mbajtur parasysh parimet e skemës së pensioneve dhe më kryesorja kontributet. Kush ka kontribuar më shumë do vijojë të marrë më shumë. Parashikojmë rritje të pensioneve me bazë të gjerë, mund të jetë në formën e një bonusi, subvencioni, indeksimeve të herë pas hershme”.
Manjani thotë se reforma që po ndërmerret së bashku me Bankën Botërore synon ngushtimin e diferencës mes pensionit minimal dhe atij maksimal.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vitin e kaluar, 51% e pensionistëve përfituan pension të pjesshëm.
“Ajo që po diskutojmë është që të kemi një rritje të pensioneve, për të ngushtuar hendekun midis pensioneve që janë më të ulta dhe atyre më të larta. Do të përfitojnë të gjithë pensionistët nga rritja”.
Në Tetor do të ketë vetëm indeksim të pensioneve, ndërsa skema e re do të nisë zbatimin duke nisur nga viti 2025.
“Si çdo vit në muajin Tetor ne do bëjme indeksimin e pensioneve i cili bëhet në bazë të shportës së mallrave të konsumit të pensionistëve. Aktualisht pritet që inflacioni për një periudhë 1-vjeçare të jetë në masën 4.2 % e bazuar edhe në ligjin organik të buxhetit. Zbatimi i reformes së re nis në vitin 2025”.