Ekonomi

PARADOKSI/ Studentët dhe të rinjtë ankohen për paga të ulëta. Biznesi ankohet për mijëra vende të lira pune!

Shkruar nga Liberale

PARADOKSI/ Studentët dhe të rinjtë ankohen për paga të

Është kërkuar me kohë një studim urgjent mbi nevojat e tregun e punës në Shqipëri.  Mungesa e një studimi dhe politikat e munguara ndër vite janë shoqëruar me pasoja të rënda, të cilat po i përjeton mbarë shoqëria sot. Bizneset kërkojnë fuqi punëtore, të rinjtë, qoftë edhe ata të kualifikuar dhe me arsim të lartë nuk punojnë pasi e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë.

Vizion Plus trajtoi fenomenin paradoksal teksa integrimi në tregun e punës pas studimeve mbetet shqetësimi më i madh i të rinjve, në një kohë kur zhvillimet ekonomike dhe digjitale kanë shkaktuar një hendek mes aftësive dhe nevojave.

“Ka shumë opsione si në sektorin publik edhe në atë privat por nuk paguhen mirë me thënë të drejtën, dhe mendoj se këtu është problemi”, tha Alketa Budani, studente.

“Jam 19 vjeç, studioj në fakultetin e shkencave sociale. Rrogat, mundësitë e punësimit, ambientet ku punohet kanë shumë vështirësi. Kemi plot studentë që vijnë nga zonat periferike, janë të detyruar të paguajnë qiratë që janë rritur frikshëm ndërsa rrogat janë njësoj. Punoj jashtë degës që po studioj, sa për të siguruar disa të ardhura por e shoh të vështirë sepse kërkojnë eksperiencë”, tha Klea Haka, studente.

Një pjesë e mirë e tyre e shohin të ardhmen jashtë vendit.

“Unë do mbaroj gjimnazin dhe do ta le pastaj, do iki jashtë, Spanjë ose Angli.”

Ndërkohë, nga ana tjetër bizneset në vend kanë nevoja urgjente për punëtorë. Një tjetër prirje shqetësuese është ajo e largimit të punonjësve me talent, aftësi dhe kualifikime shumë të mira, drejt ekonomive që ofrojnë një nivel shumë më të lartë page.

“Mbi dy mijë vende pune që ofrohen fizikisht në panair dhe mbi  5 mijë në portalin online të agjencisë kombëtare të punësimit, bujqësi, agropërpunim, mekanikë, programim, IT, inxhinieritë , ndërtimi, bankat etj. Sipërmarrjet, me mungesën e kapitalit njerëzor po e shikojnë që e vetmja rrugë është aftësimi profesional, kualifikimi i kapitalit human si dhe rivlerësimi i pagës në një nivel dinjitoz dhe me integritet”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Një tjetër nevojë që parashtrohet në këto kushte, është ridimensionimi i ofertës akademike në universitete por edhe qasja e të rinjve në arsimin profesional. Ekspertët vërejnë se kjo është një reformë që do të marrë kohë ndërsa tregu kërkon përgjigje të shpejta

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH