Ekonomi

Kush po e pëson nga zhvlerësimi i Euros dhe rritja e çmimeve

Shkruar nga Liberale

Kush po e pëson nga zhvlerësimi i Euros dhe rritja e çmimeve


Euro sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë këmbehet me 103.9 lekë në tregun valutur duke vijuar “stresin” që ka përjetuar për më tepër se një vit dhe zhvlerësimi i saj korrespondon me krizëne çmimeve. Të dhënat e sotme tregojnë një tjetër rënie të Euros, në 103.6.

Kriza e çmimeve u shoqërua me çmime më të shtrenjta të mallrave të importuar, ndonëse nga ana tjetër kanë rënë eksportet.

Kush po e pëson nga zhvlerësimi i Euros dhe rritja e çmimeve

Euro u zhvlerësua me gati 15% vitin e kaluar duke bërë që shumë biznese eksportuese që punojnë me vendet e Europës të goditen, por të prekur janë edhe familjet që përfitojnë remitanca, si edhe pagamarrësit në euro.

Në nëntor 2023, eksportet shqiptare shënuan rënie në vlerë në rreth 20%, teksa për të gjithë 11-mujorin 2023, tkurrja ishte më shumë se 10%. Në nëntor, rënia e të gjitha grupeve të eksportit u tkurr përveç produkteve kimike.

Edhe grupi i ushqimeve ra me 9.5%, teksa shumë produkte që prodhohen në vend, po zëvendësohen nga importi. Kjo është më e dukshme për bujqësinë, ku reduktimi i numrit të krerëve të bagëtive me mbi 20% për dy vitet e fundit ka rritur ekspozimin ndaj importit të bulmetrave, të cilat u rritën me ritme dyshifrore këtë.

Prodhimi në sektorin bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2023 ra për të gjashtin tremujor radhazi, duke e bërë rënien të qëndrueshme në sektor.

Sakak, hendeku mes mallrave që importuam gjatë këtij viti dhe atyre të eksportuara rezultoi në 4 miliardë euro sipas INSTAT.

Ekspertët mendojnë se shumat e larta të eurove që kanë dalë jashtë vendit, marrë në analizën e plotë të indikatorëve që ndikojnë në ofertën monetare, duhet të mjaftonte që leku të dobësohej, pasi më shumë valutë ka dalë jashtë çka përbën një tjetër paradoks.

“Rezulton një situatë e tillë që që në trajektoren e vet, na shpreh që oferta e madhe e euros dhe monedhave të tjera të forta, natyrshëm që nuk justifikohet në atë dobësim të euros apo në atë mbivlerësim të lekut, në ato përmasa që nuk u shoqërua edhe gjatë vitit 2022”, tha eksperti Eduart Gjokutaj.

Duke përfshirë edhe shifrat e borxhit të marrë në valutë të huaj, por edhe zërin e investimeve publike apo parave që qeveria hedh në ekonomi, rezulton se nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar mes sasisë së valutës që ngeli në vend vitin e kaluar në krahasim me 2022-in.

“Ekonomia jonë po tregon dukshëm që është e varur nga importi, në vend të që ishte e varur nga eksporti, i cili tregon dhe atë rritje ekonomike të qëndrueshme, do të jepte tjetër zhvillim, për sa i përket edhe tregjeve”, thekson Gjokutaj.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në 11-mujor, importet e ushqimeve nga jashtë shënuan rritje 8.5% në sasi. Një pjesë e prodhimit vendas po zëvendësohet me import. Situata e krijuar ka nxitur çmime më të larta në grupet që nuk prodhohen në vend.

Çmimi i qepëve dhe patateve në 2023 shënoi rritje vjetore me mbi 21%, për shkak se prodhimi vendas është zëvendësuar me import. Teksa çmimi i bulmetit u rrit me rreth 40% dy vitet e fundit prej mungesës së qumështit. Reduktimi i prodhimit e ekspozon vendin ndaj krizave të jashtme dhe monopoleve të grupeve të importit.

Shpesh çmimet e importit nuk janë shumë elastike pasi zhvillimet në vend kanë treguar se, ndryshimi me ulje i çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet.

Çmimet e mallrave të importit, sidomos produkteve ushqimore, kanë rënë ndjeshëm në vitin 2023 në raport me një vit më parë, por kjo nuk është reflektuar në tregun e brendshëm, përkundrazi çmimet janë rritur më tej.

Rënia e çmimeve të importit këtë vit u ndikua nga dy faktorë themelorë, nënçmimi i euros dhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Importuesit kanë fituar nga kursi i këmbimit, pasi me të njëjtën sasi parash kanë blerë më shumë valutë për të importuar produktet. Por qytetari dhe konsumatori kanë humbur ndjeshëm dhe dukshëm.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH